Kire Trajkovski, Dejan Ilievski, Zllatko Serafimovski dhe Goran Trajkovski janë katër personat të cilët në aplikimin për punësim në Qytetin e Shkupit për tu punësuar në njësitin e Zjarrfikësve u deklaruan si shqiptarë.

Për këtë TV21 u pyeti kryetarin e Qytetit të Shkupit Petre Shilegov.

Ai tha se nuk mund ta dijë se si janë ndjerë aplikantët në shpalljen për punësim dhe se nuk mund t’i tregojë askujt se si duhet të ndjehet.

“Unë si njeri dhe si kryetar i komunës nuk kam të drejtë askujt t’i them se çka është, apo si ndjehet. Unë nuk mund të ju them as juve, as mua nuk mund të më thotë dikush se si të ndjehem unë. Punojmë vetëm sipas rregullave të ligjit, ndoshta është koha që t’i shqyrtojmë zgjidhjet ligjore në vendin tonë. Ndoshta ka ndonjë shqiptar i cili i plotëson të gjitha kushtet për punësim, por sipas balancerit, nuk mund të hyjë në administratën e qytetit, apo e kundërta një maqedon, një serb, këtu përfshihen të gjithë”, deklaroi kreu i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov.

Ministri i Administratës, Damjan Mançevski para disa ditëve tha se kjo nuk është shkelje ligjore dhe nuk ka se si këta persona të sanksionohen, por njofton se masa “balanser” për përfaqësimin e drejtë do të ndërpritet. Ai njoftoi se pasqyrën e përfaqësimit të drejtë nëpër institucione do ta kontrollojë një grup ndër-resorësh i formuar nga Qeveria.

“Po përballemi me probleme serioze, për shkak të mungesës së kuadrit adekuat në tregun e punës që ndonjëherë të gjejmë punonjës të një sektori të caktuar nga etnikum i caktuar. Është e pamundur të presim se në çdo institucion do të kemi përfaqësim të barabartë etnik, siç e kemi në shoqëri. Për atë e kemi ndarë që t’i shohim punët me sektorë, psh, sektori i arsimit, shëndetësisë drejtësi etj”, tha Mançevski.

Edhe kryetari i Qytetit të Shkupit Petre Shilegov me tej shtoi se është koha që më shumë t’u kushtojmë vëmendje aftësive për punë  e jo përkatësisë etnike. Ai më tej shtoi se në nivel shtetëror ka përfaqësim të barabartë të të gjitha bashkësive etnike, dhe se ka ardhur koha që vendi të vlerësojë cilësinë e punëtorëve.