Goran Naqevski, prindi i Aleksandar Naqevskit, i vrarë në Liqenin e Smilkovës, në prill të vitit 2012, përsëri bëri thirrje që kryeministri Zoran Zaev, të ftohet si dëshmitar në rastin “Monstra”. Ai nga gjykatësi Ognen Stavrev, kërkoi po ashtu që të sigurohet xhirimi nga Parlamenti, ku Zaevi, përgjigjet në pyetje deputetësh dhe flet për vrasjet te Liqeni i Smilkovës.

Në Gjykatën Penale të Shkupit, sot vazhdoi procesi gjyqësor për rastin “Monstra”, i cili për momentin gjendet në fazë të prezantimit të dëshmive, gjegjësisht sms porosive dhe transkriptave tjera, të propozuara nga Prokuroria Speciale Publike, si rezultat i materialeve të nxjerra nga përgjimet e jashtëligjshme.

I dëmtuari Goran Naqevski, para fillimit të seancës gjyqësor për “Monstrën”, insistoi që Zaevi të ftohet si dëshmitar derisa është në funksionin e kryeministrit dhe theksoi se ky në Parlament, diku nga muaji shkurt ka thënë shumë fjalë të mëdha.

Gjykatësi i lëndës Ognen Stavrev, theksoi se kur do të vjen koha, do të kërkohet edhe xhirimi i kryeministri Zoran Zaev, por dhe vetë ai do të ftohet si dëshmitar.

Njëkohësisht edhe prokurorja Fatime Fetai, tha se Zaevi do të ftohet si dëshmitar, duke theksuar se pavarësisht pozitës së tij aktuale, ai do të duhet ta flas të vërtetën, dhe nëse nuk e flet, do të mbajë përgjegjësi.

Familjarët e të vrarëve në rastin “Monstra”, kërkuan sqarim nga Ognen Stavrevi dhe Osman Shabani, rreth kandidimit të tyre për gjykatës në Gjykatën e Apelit në Shkup, respektivisht çka do të ndodh me lëndën nëse ata zgjedhën për ato vende ku kanë konkurruar.

“Duhet ta ftoni Zaevin si dëshmitar, që mos të ikë edhe ai si Gruevski, i cili lahet në ndonjë xhakuzi”, tha Goran Naqevski.

Seanca e kaluar për rastin “Monstra”, u anulua për shkak se një anëtar i porotës kishte rast vdekjeje. Për vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smilkovës, ku mbetën të vrarë Kire Triçkovski, Filip Sllavkovski, Cvetanço Ackovski, Aleksandar Naqevski dhe pëshkatari Borçe Stefanovski, më burg të përjetshëm u dënuan dhe më pas u liruan të mbrohen në liri, të akuzuarit Halil Demiri, Afrim dhe Agim Ismailloviq, Fejzi dhe Haki Aziri, dhe Sami Luta.