Para se të filloj seanca gjyqësore për rastin “Monstra” një bisedë joformale u zhvillua ndërmjet prokurores, gjykatësve dhe familjarëve të të dëmtuarve. Prindi Goran Naçevski kërkoi nga gjykatësit që të thirret si dëshmitar Kryeministri Zoran Zaev dhe të sigurohet një video material nga Kuvendi ku thuhet se Zaev flet për çështjen, duke cituar se ka edhe bomba të reja.

Kërkojmë që në seancën e ardhshme të vijë të dëshmojë Zoran Zaev për shërbimet sekrete, bombat, përgjimet e celularëve dhe të gjitha problemet e tjera që lidhën me Monstrën. Procedura po zvarritet, jemi të lodhur nga kjo situatë! Edhe sa duhet të presim epilogun e kësaj çështjeje? Më 3 Janar Zaevit po i skadon mandati i kryeministrit dhe ai mund t’i ikë përgjegjësisë, duke u arratisur si Gruevski – tha Goran Naçevski, prind.

Duke iu përgjigjur kërkesave të prindërve të të dëmtuarve, prokurorja e rastit Fatime Fetai tha se organi i akuzës nuk ka presione nga askush për të ndikuar në ngadalësimin e procedurës gjyqësore.