Ministria për Sistem Politik është përgjigjur pas skandalit të punësimeve të maqedonasve duke u deklaruar si shqiptarë, duke keqpërdorur përfaqësimin e shqiptarëve nëpër institucionet e Maqedonisë. “Lidhur me pyetjen tuaj dëshirojmë t’ju informojmë se Ministria për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive (MSPMB) ndjek këtë problematikë që është paraqitur gjatë realizimit të konkurseve për punësime në sektorin publik dhe njëkohësisht dëshiron t’ju informojë se në bashkëpunim me institucionet përkatëse do të veprojë në kuadër të mekanizmave ligjore.”, theksohet në përgjigjen për INA nga kjo ministri. Po ashtu thuhet se do të veprohet në rastet që ka manipulime. “MSPMB përkatësisht Qeveria e RMV është e përkushtuar në zbatimin e përfaqësim të drejt dhe adekuat dhe të gjitha institucionet shtetërore janë të obliguar që t’i respektojnë të gjitha procedurat ligjore që parashihen për punësim në sektorin publik dhe njëkohësisht të respektojnë të gjitha mekanizmat që garantojnë përfaqësimin e drejtë dhe adekuat si një nga shtyllat kryesore që burojnë nga Marrëveshja e Ohrit.”, theksojnë nga kjo ministri që drejtohet nga zvkryeministri Sadulla Duraku. Agjencia e lajmeve INA së fundi ka publikuar disa konkurse të tilla që dyshohet se janë manipulative dhe keqpërdoret përfaqësimi i shqiptarëve.