Në vigjilje të pjesës zyrtare të Forumit të 4-t ministror për Bashkëpunim kulturor ndërmjet RP të Kinës dhe vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore, që sivjet mbahet në Shkup, organizatori, ministri i Kulturës i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hysni Ismaili, dhe ministri i Kulturës dhe Turizmit i Republikës Popullore të Kinës, Luo Shugang, sot e vizituan lokalitetin arkeologjik Skupi afër Shkupit.

Gjatë vizitës së lokalitetit, i cili daton që nga periudha romake, delegacioni kinez pati mundësinë të njihet me historinë e Shkupit të sotëm. Në agjendën e ministrave Ismaili dhe Shugang ishte edhe kisha e manastirit “Shën Pantelejmon” në Nerez, një monument i rëndësishëm i kulturës së periudhës bizantine, afresku i të cilit është njëra nga arritjet kryesore të pikturës bizantine. Pasdite, ministrat e vizituan edhe Kanionin e Matkës, me ç’rast ministri kinez i Kulturës dhe Turizmit, Shugang, me delegacionin e tij u njoh me thesaret e rralla natyrore të Parkut të Matkës, si dhe me trashëgiminë shpirtërore dhe kulturore përmes manastireve dhe kishave në këtë kompleks.

Forumi i Katërt Ministror për Bashkëpunim Kulturor i Procesit “17 + 1“, zyrtarisht fillon nesër me panel-diskutimin në orën 10:00 në hotelin “Meriot” në Shkup. Përfaqësuesit e lartë, ministrat, zëvendësministrat dhe anëtarët e tjerë të të gjitha vendeve anëtare të procesit do të marrin pjesë në Forum në të cilin parashihet të miratohet Deklarata e Shkupit për bashkëpunim në dy vitet e ardhshme.

Në pjesën e pasditës së Forumit do të prezantohet ueb-platforma e Qendrës Koordinuese për Bashkëpunim Kulturor, si dhe projekti për turizmin kulturor. Brenda ditës së parë, pjesëmarrësit në Forumin Ministror të Iniciativës “17 + 1” do ta vizitojnë Muzeun e Artit Bashkëkohor, ndërsa në mbrëmje do të kenë mundësinë për të marrë pjesë në Koncertin e Orkestrës së Filarmonisë Kombëtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Forumi do të vazhdojë të martën (26.11.2019) në orën 10:00 në Muzeun Arkeologjik ku, pas shqyrtimit të ekspozitës së përhershme, do të mbyllet me deklaratat e ministrave, Hysni Ismaili dhe Luo Shugang.