Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta thotë se do të bëhet çdo gjë për të akomoduar sa më shpejt dhe përshtatshëm, të gjithë ata banorë të goditur nga tërmeti.

Ai thotë se do të gjejnë pastaj një zgjidhje afatgjatë për integrimin e plotë të tyre në jetën normale.

Në një intervistë të shkurtër për KosovaPress, presidenti i Shqipërisë shpreson se operacionet e kërkimit të banorëve nën rrënoja do të përfundojnë sot.

“Do të bëhet çdo gjë për të arritur një akomodim sa më të shpejtë të përshtatshëm afatshkurtër dhe me pas për të gjetur një zgjidhje afatgjatë për integrimin e tyre të plotë në jetën e normale ashtu si më parë”, thotë ai.

Presidenti i Shqipërisë thotë se do të arrijnë ta përballojnë këtë sprovë që ua dha natyra, pavarësisht nga kosto.

Meta shpreson që sot gjatë ditë të ketë një bilanc përfundimtar zyrtar, dhe të përfundojnë operacionet e kërkimit.

“Do të vazhdojmë të përballojmë ketë sprovë që na dha natyra, kjo fatkeqësi natyrore dhe besoj se të bashkuar por edhe duke pasur pranë tërë ata miq dhe partnerë që nuk kanë munguar që në momentet e para, padyshim Kosova ka shkëlqyer me gatishmërinë e saj, do të ia dalim pavarësisht nga kostot të cilat janë të mëdha…..Shpresojmë sot të përfundojnë totalisht operacionet për kërkime të banorëve shqiptarë që mund të kenë mbetur ende nën rrënoja shpresojmë që është çështje orësh që të kemi një bilanc përfundimtar zyrtar ndërkohë që përveç nderimit të viktimave shumë sfida të tjera na presin përpara, të cilat janë të mëdha dhe do të pak afatgjate” thotë Meta.

Pas homazheve që Meta ka bërë sot në “Varrezat e Dëshmorëve” me rastin e Ditës së Çlirimit, ka thënë se fatkeqësia e jashtëzakonshme me të cilën u përball Shqipëria tre ditë më parë, ua bën të pamundur të festojnë këtë ditë me madhështi, veçse i nderojnë ata që dhanë jetën për çlirimin e vendit në luftën anti-fashiste.

Që prej mëngjesit të hershëm të së martës Shqipëria është goditur nga disa tërmete, ku njëri nga ta shkatërroi disa lokacione në Durrës dhe Thumanë, duke u marrë jetën dhjetëra personave e qindra të tjerë duke i lënë të lënduar. Njësitë e emergjencave dhe kërkim shpëtimit po vazhdojnë të gërmojnë në ndërtesat e rrënuara duke kërkuar për personat që mund të kenë mbetur nën rrënoja. Ndërkohë Shqipëria ka shpallur situatë të jashtëzakonshme në vendet ku ka pasur tërmet