Në qytetin e Gjilanit sot është mbajtur një akademi përkujtimore kushtuar jetës dhe veprës së Mulla Idriz Gjilanit dhe Agim Ramadanit.

Atje të pranishëm ishin Rrustem Berisha, ministri në detyrë i Mbrojtjes, Lutfi Haziri, Kryetar i Komunës së Gjilanit, dhe familjarë të heronjve bashkë me shumë qytetarë.

Haziri gjatë fjalimit të tij tha se Gjilani e ka pasë me borxh që të bashkojë këta heronjë dhe t’i varros.

“Jemi mbledh këtë 28 nëntor për të shënuar ndryshe , me një minutë heshtje për viktimat e tërmetit në Shqipëri që pësuan edhe dy djemtë e familjes Abazi”.

“Gjilani sot nderon tre heronjtë e kombit , që u kryengritën për të bashkuar të gjithë shqiptarët , Gjilani e ka pas borxh që t’i bashkojmë këta heronjtë të mëdhenj që kanë dhënë shumë për Kosovën , do të vazhdojmë t’i nderojmë, t’i respektojmë e t’i duam dëshmorët nuk dallohen ata duhen njëjtë , le ta gëzojmë këtë ditë duke respektuar dëshmorët dhe duke i dasht ata në duhet që të vazhdojmë të jemi te bashkuar”, ka thënë Haziri.

Ndërsa Rrustem Berisha, ministri në detyrë i Mbrojtjes, tha se sot është i nderuar që është në Gjilan.

“Sot është ditë e veçantë për Gjilanin për Kosovën sot po nderon heronjtë e vet Idriz Gjilanin, Agim Ramadanin , këto shtatore çdo herë madhështinë e tyre , kam pas fatin me qenë me Agimin në betejën e Koshares dhe kur kujtoj emrin e Agimit , e kujtoj tmerrin që kanë përjetuar njerëzit në atë betejë , urime për këto shtatore”, ka thënë Berisha.

Jeton Ramadani, i biri i Agim Ramadanit, gjatë fjalimit të tij tha se sot ndanë dhimbje me të gjithë të prekurit nga tërmeti në Shqipëri.

“Sot ndajmë dhembjen me vëllezërit dhe motrat tona në Shqipëri dhe me familjen Abazi , faleminderit të gjithë atyre që kontribuan në veprën e babait tim që ta sjellin ashtu siç ishte edhe ai”, tha Ramadani.