Kush fiton më shumë me 1 njësi zgjedhore e kush me më shumë njësi zgjedhore, është debati akual në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Secila parti mendimin e vet, në një periudhë kur pritet të formohet qeveri teknike prej 90 ditësh për të organizuar zgjedhjet e parakohshme parlamentare në RMV.

Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane Bujar Osmani vlerëson se me ndryshimet e propozuara të Kodit Zgjedhor nuk humb BDI-ja si parti e madhe politike, por humbin shqiptarët. Sipas tij reagimi nuk ka të bëjë me LSDM-në, por me faktin që të mos lejojnë që të ulet numri i deputetëve shqiptarë për shkak të modelit zgjedhor.

“Është e vërtetë se një njësi zgjedhore më shumë i përshtatet BDI-së. Simulimin të cilin e ka bërë LSDM-ja është i saktë se BDI-ja fiton dy vende të deputetëve më shumë me një njësi zgjedhore sesa me gjashtë njësi zgjedhore, megjithatë simulimet e njëjta tregojnë se numri total i deputetëve shqiptarë bie për tetë deri në 10 deputetë. Po BDI-ja fiton si parti e madhe te shqiptarët, por numri total i deputetëve bie për tetë deri në dhjetë sepse në një njësi zgjedhore Formula e Dontovit i grumbullon votat nga partitë më të vogla i jep partive më të mëdha dhe kështu bie numri total i deputetëve shqiptarë”, deklaroi Osmani në përgjigjen e pyetjes së gazetarëve.

Deputeti shqiptar i LSDM-së, Muhamed Zeqiri thotë se me një njësi zgjedhore nuk humbin shqiptarët por humb BDI.

Nga VMRO-DPMNE thonë se negociatat për kodin zgjedhor kanë hyrë në një qorrsokak për fajin e pushtetit, të cilën ata e akuzojnë se në mënyrë të kontrabanduar dëshirojnë të shtyjnë zgjidhje në kuvend pa u përballur me argumentet.

“Një kërkesë e tillë ngre vetëm dyshimin se ndryshime të tilla përfshijnë frikën e humbjes në zgjedhjet e ardhshme dhe motivet për të abuzuar me procesin zgjedhor, me qëllim që të falsifikohet vullneti i qytetarëve. Nuk ka ndodhur deri më tani të ndryshohet modeli zgjedhor pa konsensus, nuk ka ndodhur deri më tani të ndryshohet modeli zgjedhor pa përfshirjen e të gjitha partive politike në diskutimin e të njëjtës ose të paktën atyre kryesore”-pohoi Aleksandar Nikollovski, VMRO-DPMNE.