Dy partitë më të mëdha maqedonase në Maqedoninë e Veriut, LSDM dhe VMRO-DPMNE kanë interpretime të ndryshme për Ligjin për përdorimin e gjuhës shqipe, por ajo që i bashkon është se nuk duan zyrtarizim të plotë të gjuhës shqipe në tërë territorin e RMV-së.

Zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Dimçe Arsovski në prezantimin e qëndrimit partiak-sonte në emisionin “Rruga Drejt…”,  tha se partia që ai përfaqëson nuk është kundër përdorimit të gjuhës shqipe, por procedura përmes së cilës është sjell ky ligj nuk  është në përputhje me atë që parashihet në rregullore.

Sipas tij, ligji në fjalë i jep më shumë hapësirë një etniteti, por jo edhe atyre më të vogla që jetojnë në vend.

Deputetja e LSDM-së, Snezhana Kalevska, konsideron se rekomandimet e Komisionit të Venecias sa i takon zbatimit të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve në gjyqësor, duhët të merren parasysh.

Sipas saj, si shembull se  ky ligj mund të shkatërrojë efekasitetin e sistemit të drejtësisë, mund të merret rasti që ish kryetari i VMRO-së, kërkon që një nga lëndët gjyqësore ku është i akuzuar të prezantohet nga avokat shqiptarë dhe i gjithë materiali të përkthehet edhe në gjuhën shqipe.

Megjithatë, Kalevska shton, se Komisioni Venecias nuk përmend askund se është shkelur Rregullorja e Kuvendit gjatë sjelljes së këtij ligji.

Debati rreth përdorimit të gjuhëve në RMV po merr intensitet me afrimin e zgjedhjeve dhe sipas të gjitha gjasave do jetë top tema e fushatës.