Dosje të publikuara në Argjentinë shpalosin emrat e 12.000 nazistëve të cilët kanë jetuar atje në vitet e 1930-ta, prej të cilëve shumica kanë pasur llogari në banka zvicerane, shprehen hulumtuesit.

Nga Qendra amerikane Simon Vizental, kanë kërkuar nga Kredi Suis Banka që t’i identifikojë llogaritë e vjetra bankare.

“Ne besojmë se këto llogari, të cilat qëndrojnë me vite të tëra, janë në fakt para të plaçkitura nga viktima hebraike”, shprehen hulumtuesit nga Qendra “Simon Vizental”.

Certifikata të llogarive janë gjetur në një shitore në selinë e mëparshme naziste në Buenos Aires.

Gjermania naziste filloi me sekuestrimin e pasurisë hebraike pasi që në vitin 1935 miratoi ligje racore, me ç’rast shuma më e madhe është sekuestruar gjatë holokaustit. Një pjesë e madhe e kësaj bukurie është bartur në llogari sekrete në bankat zvicerane.

Në letrën dërguar Kristijan Kunit, nënkryetar i Kredi Suis, hulumtuesit nga Qendra “Simon Vizental” shprehen se janë të vetëdijshëm se tashmë kanë listë të njerëzve që janë lajmëruar si pasardhës të nazistëve dhe llogarive të tyre.

Shtuan edhe atë se shumë nazistë janë regjistruar në dosjet argjentinase kur kanë hapur një ose më shumë llogari bankare në Byronë Kreditore Zvicerane, prej të cilës është krijuar Qendra Kreditore Zvicerane.

Prej vitit 1930 deri në vitin 1938, Argjentina kishte regjim pronazist të kryesuar nga presidenti Hoze Feliks Uriburu, me noftë Fon Pepe dhe pasardhësit të tij Agustin Pedro Husto.

Certifikatat i mori komisioni special i formuar gjatë kohës së Robert Ortizit, i cili ka qeverisur prej vitit 1938 dhe ka kundërshtuar nazistët.

Më pas, Komisionin padashur e mori Unioni Gjerman i Sindikatave.

Megjithatë, grusht shteti i dytë ushtarak në vitin 1943 e ktheu në pushtet regjimin pronazist në Buenos Aires dhe të dhënat e komisionit ishin djegur.

Megjithatë, hetuesi argjentinas Pedro Filipuzi para do kohë gjeti një kopje të besueshme me emrat e 12.000 nazistëve.

Nga Kredi Suis për AP-në kanë deklaruar se bashkëpunojnë me Poll Vollker, hetues i Kombeve të Bashkuara, i cili kërkonte llogari sekrete mes viteve 1997 dhe 1999.

“Sërish do të merremi me këtë aferë”, shprehen nga Qendra Kreditore.

Gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore, disa shtete amerikanojugore, duke përfshirë edhe Argjentinën, ishin strehimore e sigurt për nazistët, meqë në to sundonin diktatorë ushtarak fashistë.

Disa nga kriminelët më të kërkuar nazist të luftës u arratisën në Amerikën e Jugut, duke përfshirë edhe Adolf Ajhmanin, njërin prej ideatorëve të holokaustit.

Në Argjentinë, ai ishte rrëmbyer nga agjentë izraelitë në vitin 1960.

Ajhmani ishte transferuar në Izrael, ndërsa dy vite më vonë pas gjykimit të tij në Jerusalem, atij i është shqiptuar dënimi me vdekje me varje.