Propozim-ligjet për ndryshim të Kodit Zgjedhor ka një muaj që janë dor

Propozim-ligjet për ndryshim të Kodit Zgjedhor ka një muaj që janë dorëzuar në Kuvend, e për këto ndryshime LSDM dhe VMRO-DPMNE ka 6 muaj që takohen dhe negocioojnë. Këtë e tha mbrëmë në Click Plus Arijanit Hoxha i Lëvizjes Besa. Ai u ankua se në këto takime nuk janë përfshira partitë tjera.

“VMRO dhe LSDM-ja gjashtë muaj të fundit kanë takime permanente për Kodin Zgjedhor dhe nuk jemi të përfshirë as ne si Lëvizje BESA që, që nga 2016-ta jemi parti e katërt dhe as BDI-ja dhe kjo nuk është e sinqertë të përjashtosh shqiptarët nga ky proces”, tha Arjanit Hoxha nga Lëvizja Besa.

Kreshnik Bekteshi i BDI-së tha se nuk di asgjë për këto takime.

“Unë nuk e di a mbahen negociata dhe nuk e di a është BDI-ja e përfshirë”, potencoi Kreshnik Bekteshi nga BDI.

E kurse Edmond Ademi tha se negociatat janë për Kodin Zgjedhor, por në drejtim të zbatimit të rekomandimeve të BE-së.

“Negociatat janë për Kodin Zgjedhor, por janë në drejtim të implementimit të rekomandimeve”, theksoi Edmond Ademi nga LSDM.

“Ju dilni tash e propozoni që të thoni se kaloi propozimi i BDI-së. Ne e kemi të qartë se nuk do të ketë ndryshime të Kodit Zgjedhor, pikërisht për faktin që e përmendi Arjanit, takimet e fshehta mes VMRO-së dhe LSDM-së”, u shpreh Syrja Rashidi nga Aleanca për Shqiptarët.

E nga VMRO-DPMNE-ja nuk dhanë përgjigje konkrete se a janë zhvilluar negociata që gjashtë muaj mes LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së për Kodin Zgjedhor. Deputeti i kësaj partie, Emil Dimitriev tha se negociata zhvillohen edhe për ligje të tjera, siç është rasti me të fushës së sigurisë, por në fund del pushteti dhe dorëzon amendamente, prandaj në të ardhmen negociata të tilla s’do të kenë epilog

“Besoj se keni pasqyrë se si rrjedhin ato negociata dhe nga vetë konferenca për fushën e sigurisë. Nga njëra anë negocionojmë, harmonizojmë tekste, ato janë negociatat të mundishme, gjatë tërë natës nga ana tjetër, deputetë të shumicës dorëzojnë amendamente dhe i ndryshojnë përmbajtjet e ligjeve. E gjithë kjo tregon për një joseriozitet të pushtetit aktual. Për këtë konsideroj se të gjitha negociatat e tilla në të ardhmen s’do të kenë epilog”, tha Emil Dimitriev nga VMRO-DPMNE.

Këto deklarata vijnë pasi në Kuvend janë dorëzuar dy propozim ligje për ndryshim të Kodit Zgjedhor, njëri është për ndryshim të njësive zgjedhore e tjetri për lista të hapura dhe përfshirje të barabartë gjinore në to. Për të dy ligjet janë dorëzuar rreth 5900 amendamente nga VMRO-DPMNE-ja dhe BDI-ja. Dje duhej të fillonte diskutimi për këto amendamente, por për shkak se të njëjtat ende nuk janë procedura, seanca u anulua. Ndërkohë, për më 25 dhjetor është thirr debat publik për ndryshimet e Kodit Zgjedhor.