I dashur Baba Dimër, quhem Maqedonia. Më fal, Maqedonia e Veriut.  E ndryshova emrin para gati një viti dhe ende nuk jam mësuar me këtë. Nganjëherë e gaboj. Kam 28 vjet, nuk jam e martuar dhe kam shumë fëmijë. Nuk i kam numëruar që nga viti 2002, por a po më besoni se në shtëpinë në të cilën jetoj ka rreth 1 milionë e gjysmë, po edhe aq në vendet e botës? E di se kjo do të tingëllojë pak e çuditshme, por shpeshherë për mua thonë “Maqedoni, ti je e çuditshme, pardon, mahnitëse”

Baba Dimër, mendova shumë se çfarë dhuratash të më lësh nën Pemën e Vitit të Ri. Nën pemën e artë, digjitale, të lartë, e cila qëndron në mes të dhomës kryesore. Pema e Vitit të Ri është e veshur me ngjyrë të artë, si reflektim i luksit në të cilin jetojnë shumica e fëmijëve të mi.

Para se të kërkoj diçka prej teje, dua të të tregoj për mua. E di që duart i ke plotë punë, prandaj ndoshta ende nuk ke dëgjuar për mua, e as nuk më ke njoftuar, edhe pse me kalimin e viteve më kanë promovuar si “top model” nëpër televizionet botërore.

Kam shumë probleme, Baba Dimër. Nuk e di nëse, ti si gjyshi më i mirë dhe gjyshi që i plotëson dëshirat e tërë botës, mund t’i zgjidhësh. Por, ja unë do të të rrëfej për disa prej tyre, e më pas ti vendos cilat do t’i trajtosh. Unë deri më tani, kam provuar gjithçka.

Me vite të tëra dua të udhëtoj në Perëndim dhe fëmijët janë fort të vendosur të shkojnë atje, por ja tashmë 11 vite, assesi nuk më lejonin ta blej biletën. Sivjet e bleva, por aeroplani nuk fluturoi, edhe pse më premtuan. Të mos bëj mëkat, por mendoj se fajet për gjithçka i ka fqinja ime Elada. Jeton pranë meje, por më ka dushman. Fëmijët e saj vijnë dhe luajnë me fëmijët e mi, të cilët çdo verë shkojnë për pushime tek ajo. Nuk e di çka ka, por ajo vazhdimisht më nguc dhe nuk më lë rahat. E di, ndoshta edhe unë jam pak fajtore për sjelljen e keqe që e kemi, por verën e kaluar edhe unë shkova tek ajo, kur u morëm vesh se nuk do të shkaktojmë probleme më mes vete.

Ajo ende është e zemëruar me mua, për stolitë në dhomën kryesore, por edhe unë kam faj. Ndonjëherë i jap diçka nga ballkoni derisa ajo po luan me shoqet nga Evropa. Por çka mund të bëj kur kam temperament të gjallë, por kam shpirt të mirë.

Në Evropë dua ta përfundoj edukimin tim. Sapo i përfundova studimet e magjistraturës dhe doktoratës. I mora njëkohësisht. E tillë jam unë pasi ndryshova gjithçka në dhomën e arsimit. Disa thonë se jam shumë e zellshme, për shkak se dalëngadalë i pastroj edhe dhomat e tjera. Punët sociale, shëndetësinë, energjetikën, korrupsionin, krimin…por unë nuk i vë vesh komentet. Bëj ashtu siç mendoj unë, madje edhe nëse gaboj.