Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti para takimit me Presidentin Thaçi për marrjen e mandatit për kryeministër të Kosovës, ka dalë me propozime konkrete për Lidhjen Demokratike të Kosovës duke bërë publikë edhe emrat e 5 ministrave që ai ka vendosur të kandidojë, në një koalicion të mundshëm me LDK-në. Ndër emrat e 5 kandidatëve për ministra që ka bërë publikë Kurti, spikatet edhe emri i kandidatit për president në zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar në Maqedoni, profesorit Blerim Reka. Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti e ka propozuar emrin e profesorit Reka në krye të Ministrisë së Punëve të Jashtme. Ndërsa 4 emrat e tjerë të bërë publikë nga Kurti janë: zëvendëskryeministër të dytë të qeverisë, Haki Abazi, ministre të Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ministër të Financave dhe Transfereve, Prof. Besnik Bislimi, ministër të Ekonomisë, Tregtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari, dhe për ministër të Shëndetësisë dhe Sportit, Arben Vitia.