Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka bërë homazhe në kompleksin memorial “Adem Jashari”, në Prekaz, i cili me këtë rast theksoi se 28 nëntori është data e cila i bashkon Skënderbeun, Ismail Qemalin dhe Adem Jasharin, datë kjo e gjithë shqiptarëve që bënë bashkë flamurin kuq e zi, pavarësinë e Shqipërisë dhe kryengritjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kurti, siç transmeton Kossovapress theksoi se festa kombëtare që i bashkon gjithë shqiptarët, këtë herë bashkoi edhe ndaj tragjedisë në zonën e Durrësit, që sipas tij, tronditi mbarë kombin shqiptarë ku do që janë.

“28 nëntori është data, e cila i bashkon Skënderbeun, Ismail Qenmalin dhe Adem Jashari. Pra, kjo datë është gur themel i yni që bën bashkë flamurin kuq e zi, pavarësinë e Shqipërisë dhe kryengritjen e UÇK-së. Është festa jonë kombëtare, e cila na bashkon, e kësaj radhe na bashkoi edhe kundrejt një fatkeqësie tragjike në zonën e Durrësit që tronditi mbarë kombin tonë, jo vetëm në Ballkan, por ku do që janë shqiptarët. Solidariteti që po tregojmë tani për njeri tjetrin është dëshmi se kur është nevoja jemi një popull në këmbë, të gjithë për secilin, secili për të gjithë dhe bashkë do t’ia dalim”, theksoi Kurti.

Ai tha se flijimi i familjes Jashari ia dha hovin vendimtar kryengritjes sonë dhe çlirimit e lirisë sonë. Kurti theksoi se në Prekaz kanë rënë gjithsej 59 dëshmorë, në një betejë të paparë jo vetëm në historinë e popullit shqiptar kundrejt një rrethimi të hekurt të forcave të Serbisë. Homazhe në kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz, sot po bëjnë edhe shumë qytetarë nga vendi dhe rajoni, si dhe personalitetet të ndryshme.