Të bësh gazetari, do të thotë të publikosh informacione të verifikuara dhe të balancuara. Nëse informacionet plasohen në kuadër të procesit zgjedhor, duhet të jenë edhe objektive. Por, disa media këto fakte i lënë anash qëllimshëm ose jo, dhe në vend se ta informojnë publikun saktë dhe drejtë, janë duke e mbushur me informacione aspak të verifikuara dhe të njëanshme.

Tetova Lajm: Djali dajës së Zijadin Selës, Krenar Lloga i punësuar nga Alternativa?!
Tetova Lajm: Djali dajës së Zijadin Selës, Krenar Lloga i punësuar nga Alternativa?!

Linku deri te artikulli origjinal: “Djali dajës së Zijadin Selës, Krenar Lloga i punësuar nga Alternativa?!”

Data e publikimit: 14.02.2020

Data e recensionit: 19.02.2020

Recension: Fatbardha Curri

Titull që flet shumë

Në titull thuhet se djali i dajës së liderit të Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela është punësuar nga partia politike në të cilën tashmë Sela ka hyrë në koalicion parazgjedhor, Alternativa. Por, edhe pse thuhet në titull ashtu, kur lexohet teksti i artikullit nuk jepet asnjë informacion dhe fakt i cili do ta verifikonte atë që është thënë në titull.

“TS: Djali dajës së Zijadin Selës, Krenar Lloga i punësuar nga Alternativa?!”, thuhet në titullin e artikullit që e recensojmë.

Manipulim duke publikuar fotografi

Përveç fotografisë që përmban artikulli gazetaresk, ku shihet adresa, emri dhe mbiemri i një personi, të cilin portali e ka etiketuar si “djalë të dajës së Selës”, nuk jepet asnjë e dhënë tjetër.  Në fotografi nuk kuptohet se në cilin institucion është punësuar dhe a është drejtor apo ministër ndonjë anëtar i Alternativës. Nga këtu, mund të vlerësojmë se gazetari ka manipuluar publikun me konceptin “Thirrje në mundësi”, e cila paraqet prirje për të besuar se nëse kemi një dokument ku figuron emri i Llogës, e njëjta do të thotë punësim nga Alternativa.

Pastaj, duke e analizuar retorikën e artikullit, kuptohet se qëllimi i artikullit është të tregojë se koalicioni mes Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës ka filluar më herët.

“Siç duket bashkëpunimi mes Aleancës dhe Alternativës ka filluar kohë më parë, duke e punësuar Krenar Llogën, djalin e dajës së kreut të Aleancës, Zijadin Selës. Me këtë konfirmohet që ky koalicion dypalësh, kur i konvenon është pjesë e Qeverisë, dhe kur nuk i konvenon është opozitë”, thuhet në artikullin që e recensojmë.

Nga këtu përfundojmë se gazetari gjatë shkuarjes së artikullit nuk ka informuar saktë publikun, por ka bërë propagandë kundër Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës. Me këtë ka bërë edhe shkelje të Kodit Etik Gazetarisë.

“Raportimi për proceset politike, veçanërisht për zgjedhjet, duhet të jetë i paanshëm dhe i balancuar. Gazetari patjtetër duhet të sigurojë distancë profesionale nga subjektet politike”, thuhet në Kodin Etik të Gazetarëve.

Para zgjedhjeve, jo çdo artikull është gazetaresk

Procesi parazgjedhor do të japë raste të shumta ku në vend të gazetarisë do të kemi vetëm propagandë. Kjo bëhet me qëllim, që nëpërmjet atyre shkrimeve të ndikohet opinioni publik dhe kështu të ndikojë në formimin dhe ndryshimin e qëndrimeve të cilat do të ndikojnë edhe rezultatet e zgjedhjeve të 12 prillit.

*Projekti KriThink – “Të menduarit kritik për qytetarët me aftësi mediatike – CriThink” zbatohet nga Metamorfozis dhe Eurothink.  Projekti financohet nga Bashkimi Evropian.