Klement Çupit është i riu nga Mati që sfidoi vdekjen duke qeshur teksa qëndronte nën rrënojat e njërit prej pallateve të shembura të Thumanës.Plot 17 orë, djali i familjes Çupi që kishte ardhur nga Anglia për të fejuar vëllain i tij, jetoi me shpresën se do të dilte gjallë nga aty.

Nuk u dorëzua në asnjë moment dhe me gjithë dhimbjet e shumta që i thernin shpirtin, tentonte të mbante me batuta forcat operacionale të shpëtimit. Grekët kanë mbetur të habitur nga vendosmëria e tij për të jetuar, i cili nuk u dorëzua në asnjë moment. Në gjuhën helene, djaloshi 32-vjeçar i kishte thënë: “Ku do ta pimë kafen kur të më nxirrni nga aty?”
Edhe pse kishin kaluar plot 17 orë nën gërmadha, sytë e tij ishin plot shpresë. Njëri nga familjarët i ka qëndruar aty Klementit deri në minutat e fundit të jetës së tij. Ka komunikuar për çdo gjë me të.

Madje pas tërmetit, ai ka kërkuar një telefon ku ka folur me të gjithë të afërmit. Fillimisht ka komunikuar me të fejuarën në Angli, më pas më familjarët e tjerë, të cilët tregojnë që ishte Keli ai që i jepte kurajo se do të dilte mirë nga rrënojat.

Për prindërit, ai ka thënë:

Mos u lodhni kot për babain. Është sipër meje i vdekur. Edhe mami nuk jeton. E pashë kur i ra pllaka në kokë dhe mbeti në duart e Colit (Vëllai i shpëtuar, Nicole Çupi)”.

Kur grekët po luftonin për ta nxjerrë nga rrënojat, Keli duket se e kishte parandjerë fundin e dhimbshëm.

Ai është shprehur në fjalët e fundit:

Bert (i afërm i tij), unë do të vdes. Këmbët nuk i ndjej fare. Që në mëngjes kam parë gjak që pikon poshtë. Të lutem, do vdes se do vdes, më jipni pak ujë. Ma jepni dhe një cigare”.