Në vazhdën e solidarizimit me të prekurit nga tërmeti që ndodhi ditën e martë në Shqipëri, ku si pasojë nën gërmadha humbën jetën shumë qytetarë dhe qindra u lënduan, përcjell in7.

Për in7, nga Komuna e Vrapcishtit me në krye Isen Shabanin, thanë se tashmë kanë nisur një kontigjent me ndihma për në Durrës, ndërsa theksuan se aksioni vazhdon edhe në ditët në vijim. Përveç ndihmës së siguruar nga institucionet komunale, në ndihmë të tyre janë vënë edhe bizneset lokale dhe qytetarët nga gjithë territori i komunës.

“Komuna e Vrapçishtit në këto ditë të vështira të shtetit Shqiptar po solidarizohet duke ju ofruar ndihmë me aq sa ka mundësi. Janë nisur pako ne ndihma të ndryshme për ne Shqipëri dhe urojmë që populli i Shqipërisë i goditur nga tërmeti të mos përjetojë përsëri situata të ngjajshme.”, thonë nga kjo komunë.

Gjithashtu nga Komua e Vrapçishtit njoftojnë qytetarët se për shkak të tragjedisë së ndodhur nga tërmeti në Shqipëri kanë shpallur ditë zie dhe kanë anuluar të gjitha manifestimet në lidhje me festat e nëntorit.

“Komuna e Vrapçishtit njofton të gjithë banorët se për shkak të tragjedisë që ndodhi në Shqipëri dhe situatës së palakmueshme dhe jo të sigurtë, është vendosur që të anulohet çdo organizim i cili ka të bëjë me Festat e Nëntorit. Me këtë, ne si komunë solidarizohemi me Shqipërinë, duke patur gjithmonë në vëmendje situatën e atjeshme”, thonë nga atje.

Ditë zie është shpallur në të gjitha komunat shqiptare në Maqedoni, ndërkaq me ndihma financiare, ushqime, zjarrfikësa, ekipe mjekësore kanë dërguar komunat më të mëdha si Gostivari e Tetova.