Kohë më parë Agjencia e Lajmeve Zhurnal alarmoi një skandal që ka ndodhur në Komunën e Gazi Babës, gjegjësisht një rast i paprecedent deri më tani në Maqedoninë e Veriut, ku punonjësve shqiptarë nuk i është lejuar që të flasin në gjuhën e tyre amtare, gjegjësisht në gjuhën shqipe.

Rasti në fjalë ka ndodhur në vitin 2012, në kohën kur kryetar i kësaj komune ishte Toni Trajkovski nga rradhët e VMRO-DPMNE-së.

Një punonjës i kësaj komune Ajet Rexhepi ka bashkëbiseduar me një kolegë tjetër shqiptarë brenda hapsirave të komunës, por nga zyrtarë të lartë kanë reaguar dhe i kanë ndaluar të flasin shqip, edhe pse ato nuk kishin biseduar për çështje zyrtare të komunës, por kishin zhvilluar bisedë të rëndomt.

Pas kësaj punonjësi Ajet Rexhepi ka dërguar ankesë deri te Komisioni për Antidiskriminim pas çka është konstatuar se është bërë diskriminim gjuhësor.

Dhe të njejtin diskriminim e ka konfirmuar edhe vendimi i Gjykatës pas padisë që ka bërë punonjësi ndaj Komunës.

Avokati, Petro Janura, përfaqësues i punonjësit Ajet Rexhepi, për Zhurnal ka përshkruar rastin dhe ka treguar se Gjykata Themelore për së dyti herë ka vërtetuar se Komuna e Gazi Babës ka bërë diskriminim gjuhësor dhe etnik në mardhëniet e punës, sepse vendimin e parë të gjykatës Komuna e Kishte ankimuar në Gjykatën e Apelit.

“Ky rast ka të bëjë me ndodhinë në vitin 2012. Klienti im është i punësuar në komunën e Gazibabës dhe nga ana e zyrtarëve më të lartë të komunës i është thënë bashkë me kolegun e tij shqiptar, se e kanë të ndaluar të flasin mes vete në gjuhën shqipe brenda hapësirave të komunës për arsye se në komunën e Gazibabës në përputhje me ligjin për përdorimin e gjuhëve vetëm gjuha maqedonase është gjuhë zyrtare, dhe sepse shqiptarët në këtë komunë nuk janë mbi 20%”, shprehet Janura.

“Klienti im bashkë me kolegun e tij shqiptar kanë folur jo për çështje që kanë të bëjnë me obligimet zyrtare, por thjeshtë bisedë e rëndomtë, dhe kjo nuk u është lejuar. Pas kësaj, është dërguar ankesë deri tek Komisioni për Anti-diskriminim ku komuna është mbrojtur duke u thirur në ligjin për përdorimin e gjuhëve. Komisioni ka dhënë mendim se është bërë diskriminim në bazë të gjuhës. Komisioni i ka dhënë vërejtje komunës por përsëri komuna nuk ka vepruar konkretisht. Kjo ndodhi është gjatë kohës kur kryetar i Gazibabës ishte Toni Trajkovski. Dhe tani natyrisht, klienti im ka dorëzuar padi ku kërkuam që të vërtetohet se komuna e Gazibabës ka bërë diskriminim në bazë gjuhësore dhe etnike në lëminë e punës dhe marrdhënieve të punës dhe t’u ndalohet që edhe më tej të bëjnë diskriminim. Gjykata e shkallës së parë ka gjykuar në favorin tonë ku ka vërtetuar se ka patur diskriminim edhe në bazë gjuhësore edhe në bazë etnike në marrdhëniet e punës”, thotë për Zhurnal, avokati Janura.

Por ai thotë se edhe pas ndrrimit të kryetarit, udhëheqësia e re e Komunës tanimë e udhëhequr nga LSDM ka dorëzuar ankesë te Gjykata e Apelit për të ankimuar vendimin e gjykatës duke insistuar se nuk është bërë ky diskriminim gjuhësorë dhe etnik.

“Pas kësaj u ndryshua dhe kryetari, tani kemi kryetar të ri. Dua të them se ata e ankimuan këtë aktgjykim dhe pas shqyrtimit të ankesës, komuna ende ka vazhduar të thotë se nuk ka patur diskriminim. Për së dyti herë gjykata ka vërtetuar përsëri se është bërë diskriminim në komunën e Gazibabës, dhe i ka ndaluar komunës që më tej të mund të mer çfarëdo veprimi ndaj personave që kanë paditur. Por Komuna prap ka dorëzuar ankesë në Gjykatën e Apelit para dy javëve, dhe tani presim vendimin e Gjykatës së Apelit”, shprehet Janura.

Punjonësi Ajet Rexhepi ka njoftuar për Zhurnal se Komuna prap ka dorëzuar ankesë deri te Gjykata e Apelit.

Sipas tij Komuna nuk mundet të pranoj faktin ku me dokument vërtetohet se ka pasur diskriminim gjuhësor dhe etnik.

“Nuk di si do të vepron tutje pala tjetër. Ne edhe herën e parë kur u ankimua vendim në Apel, kërkuam që komuna ta pranoj faktin se është bërë diskriminim dhe të shikojmë të rregullojmë këtë gabim i cili është bërë nga garniture e mëparshme. Mirëpo, prap ata edhe kësaj radhe ankimojnë vendimin e Gjykatës Civile, pasi që për ata është e pa pranuar që ky presedan në vendin tonë, ku me dokument vërtetohet se komunikimi jo formal në zyre të shtetit, administratës mes dy të punësuarve shqiptar apo të ndonjë nacionaliteti tjetër që nuk e flet gjuhën maqedone, është i lejuar. Është e pa pranuar në shekullin 21 në zyrat lokale të një komune, ku jemi pakicë ne shqiptare, dy nëpunësve shqiptar t’ju ndalohet komunikimi në gjuhën amtare”, thekson për Zhurnal, Rexhepi.

GJITHÇKA FILLOI NË VITIN 2012
Diskriminimi gjuhësor ndaj Ajet Rexhepit, për ndalimin e përdorimit të gjuhës shqipe në bisedë formale me kolegët e tij ka ndodhur në vitin 2012. Ngjarja kishte ndodhur kur Ajeti dhe kolegu i tij, D.I, po ashtu i punësuar në Komunën e Gazi Babës, e kanë transferuar një byro nga një zyrë në tjetrën. Biseda të cilën e kishin zhvilluar ato ka qenë e rëndomtë dhe nuk ju ka dedikuar personave të tretë, aq më pak kryerjes së detyrave të punës.
“Në hapësirat ku është dashur të transferohet byroja, ka qenë kolegia e tyre C.K, e etnisë maqedonase, dhe kur i ka dëgjuar se si flasin në gjuhën shqipe – ashpër ka reaguar dhe menjëherë rastin e ka denoncuar te Udhëheqësi i sektorit M.Z. Menjëherë pas këtij rasti, nga M.Z është thirrur mbledhje dhe dy punonjësve shqiptare i është thënë që komunikimin ta kryejnë në gjuhën zyrtare në maqedonisht, në pajtim me dispozitat ligjore dhe se gjuha maqedonase është gjuhë zyrtare në Komunën e Gazi Babës”, thuhet në arsyetimin e aktgjykimit të Gjykatës Civile.

Nga ana tjetër, punjonësi Ajet Rexhepi për Zhurnal thotë se udhëheqësia e tanishme e Komunës së Gazi Babës vazhdon me diskriminimin gjuhësor, vazhdon me përkrahjen e udhëheqësisë së mëparshme që ndalonte përdorimin e gjuhës shqipe në mënyrë joformale, në mes të kolegëve shqiptarë. Sipas tij me vetë faktin që mohojnë ta pranojnë gabimin e bërë, mohojnë ti mënjanojnë pasojat e diskriminimit sipas sugjerimit të Komisionit për mbrojtje nga diskriminimi dhe e ankimojnë vendimin për diskriminim etnik dhe gjuhësor të dytë me rradhë të Gjykatës themelore të Shkupit në Gjykatën e Apelit në Shkup.

“Komuna e Gazi Babës pretendon të krijojë presedencë të rrezikshme në Maqedoninë e Veriut. Me këtë, Komuna tenton me çdo kusht që kudo që janë Shqiptarët pakicë në komuna, të punësuarit në ato administrata komunale mos të kenë të drejtë, lirshëm dhe pa kurrfarë ndalesa, në komunikim joformal të bisedojnë mes veti në Gjuhën shqipe! Kjo udhëheqësi e tanishme paraqitet hipokrite dhe mashtruese. Tregohet e njëjtë me udhëheqësinë e mëparshme për sa i përket diskriminimit të shqiptarëve në administratën komunale. Nga njëra anë kinse përkrah përdorimin e gjuhës shqipe në komunikim formal në nivel shtetëror, ndërsa në nivel komunal madje edhe në komunikim joformal tenton ta ndalojë”, thotë Rexhepi.

Ai bën apel të fundit partive politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut, të jenë syqelë, të vëzhgojnë këtë rast gjyqësor dhe në kuadër të mundësive të tyre mos të lejojnë krijimin e kësaj presedence të rrezikshme për shqiptarët që jetojnë në periferi të trojeve të tyre etnike në Republikën e Maqedonisë së Veriut!