Alternativa dhe Aleanca për Shqiptarët kanë nënshkruar koalicion parazgjedhor por ende nuk a kanë përpiluar programin zgjedhor. Kështu deklaroi sekretari gjeneral i Alternativës, Zejd Rexhepi derisa përballej me analistin Arben Llalla në emisionin “Click plus”. Rexhepi deklaroi gjithashtu se qëllimi i koalicionit është përmirësimi i jetës së qytetarëve, ndërkaq për programin tha se është në përpilim e sipër.

Arben Llalla: A është në programin tuaj çështja e ushtarëve të UÇK-së dhe familjeve të dëshmorëve? Si do ta zgjidhni ju?

Zejd Rexhepi: Gjithsesi, programi është në përpilim e sipër.

Arben Llalla: Do të thotë ende nuk e keni gati?

Zejd Rexhepi: Ne i kemi vendosur vetëm bazat e programit me të cilin u formua koalicioni, dhe është shtet për të gjithë. Programi nuk është përfunduar dhe është në veprim e sipër. Arsyeja e koalicionit është se ne kemi interes të përbashkët për t’ia përmirësuar jetën qytetarëve
.

Por analisti Sefer Selimi ka hamendje se partitë e opozitës do të përpilojnë edhe kësaj here një program. Sipas tij, 18 vjet derisa Bashkimi Demokratik për Integrim është në pushtet, asnjë parti opozitare nuk ka artikuluar saktë programin me të cilin do të mund të merrnin mbështetje nga qytetarët.

“Problemin të cilin unë e kam, jo vetëm me Alternativën, gati se me të gjitha partitë opozitare, është se ju i artikuloni të gjitha pikat programore për të cilat flitet 18 vjetët e kaluara për sa kohë është BDI-ja në pushtet dhe asnjëherë nuk ka artikulim të tyre vërtetë në programe të cilat realisht do të kishin gjetur mbështetje te qytetarët. Sepse në fund të fundit, atë se kush do të mbijetojë në skenën politike dhe kush do të shuhet, e caktojnë qytetarët”, tha Sefer Selimi.

Debati në Click Plus erdhi pasi u formua koalicioni parazgjedhor mes Alternativës dhe Aleancës për Shqiptarët. Deri tash është konfirmuar edhe koalicioni mes Lëvizjes BESA dhe Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë, ndërkohë që BDI dhe VMRO-DPMNE-ja pritet të shkojnë të vetme në zgjedhe. Përflitet edhe një koalicion mes PDSH-së dhe LSDM-së, por ende nuk ka ndonjë konfirmim.