Në organizimin e Ministrisë së Kulturës së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Qendrës Koordinuese për Bashkëpunim Kulturor ndërmjet Republikës Popullore të Kinës dhe vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore, filloi Forumi i Katërt Ministror për Bashkëpunim Kulturor, që mbahet sot dhe nesër (25 dhe 26 nëntor) në Shkup.

Pjesëmarrësit në Forum i përshëndeti ministri i Kulturës, Hysni Ismaili, i cili duke u uruar mirëseardhje të ngrohtë në fjalimin e tij theksoi se Republika e Maqedonisë së Veriut si organizatore e Forumit të Katërt Ministror për Bashkëpunim Kulturor ndërmjet Republikës Popullore të Kinës dhe vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore, i demonstron angazhimet për t’i thelluar dhe intensifikuar lidhjet kulturore ndërmjet shteteve që janë pjesë e kësaj platforme.

“Në dy vitet e kaluara pasi Qendra Koordinuese për Bashkëpunim Kulturor ndërmjet RP të Kinës dhe vendeve të EQL-së e filluan misionin e tyre të përkushtuar dhe të angazhuar ne u përqendruam në realizimin e një numri të madh iniciativash në drejtim të afrimit dhe avancimit të marrëdhënieve kulturore midis artistëve, shoqatave dhe institucioneve të vendit të cilat janë pjesë e Procesit, si dhe evidentimin, shkëmbimin dhe shpërndarjen e informatave në fushën e kulturës”, tha Ismaili.

Ai shtoi se Qendra Koordinuese organizoi dhe mori pjesë në shumë aktivitete me përfaqësuesit, ekspertët, artistët e shquar dhe njohësit në fushën e kulturës. “Falë programeve të “Rrugës së Mëndafshit” dhe “Rripit” të nisur në kuadër të Procesit “17 + 1″, institucionet tona dhe artistët e profileve të ndryshme kanë qenë në gjendje ta vizitojnë Republikën Popullore të Kinës dhe të fitojnë përvoja të vlefshme që i kanë plotësuar njohuritë dhe aftësitë e tyre profesionale, për të cilat e shprehëm mirënjohjen tonë të veçantë për Luo Shugang dhe Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit të Republikës Popullore të Kinës”, tha ministri i Kulturës, Ismaili.

Ministri kinez, Luo Shugang, duke falënderuar për mikpritjen e ngrohtë dhe organizimin e shkëlqyeshëm të Forumit, theksoi se çelësi për marrëdhënie të shëndetshme ndërmjet vendeve është në miqësinë midis popujve të tyre bazuar në mirëkuptimin e ndërsjellë.

“Lidhja midis kombeve është thelbësore për qëndrueshmërinë dhe suksesin e madh të bashkëpunimit tonë kulturor. Që nga takimi i parë ministror i mbajtur në vitin 2013, kemi bërë një përparim frymëzues në bashkëpunimin kulturor ndërmjet RP të Kinës dhe vendeve të EQL-së, duke i afruar qarqet tona kulturore dhe kombet tona që të informohen më mirë me njëri-tjetrin”, tha ministri kinez i Kulturës, i cili vuri në dukje se në vitin 2020, Republika e Maqedonisë së Veriut do të jetë organizatore e Forumit të Unionit të Bibliotekave ndërmjet Kinës dhe vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore.

Pjesëmarrësit në Forum i përshëndeti edhe Kryetari i Qeverisë, Zoran Zaev, i cili vuri në dukje se në vitet e kaluara RP e Kinës është paraqitur rregullisht në listën e 10 vendeve të para me të cilat Republika e Maqedonisë së Veriut ka vëllim më të madh të tregtisë, duke u renditur në vendin e 7-të në vitin 2018.

“Pikërisht lidhur me bashkëpunimin kulturor, dëshiroj të theksoj se kënaqësia është e madhe për të marrë pjesë në këtë eveniment të rëndësishëm me të cilin hapim një kapitull të ri në bashkëpunimin kulturor ndërkombëtar”, tha Kryetari i Qeverisë, Zaev. Ai shtoi se kjo iniciativë është një mundësi e jashtëzakonshme për të gjithë ne, pavarësisht madhësisë dhe burimeve tona, të përfshihemi dhe të kontribuojmë së bashku për t’i avancuar lidhjet tona, si në planin bilateral, ashtu edhe në planin multilateral.

Pjesa e pasditës e Forumit përfundoi me miratimin e Deklaratës së Shkupit për bashkëpunim kulturor të vendeve pjesëmarrëse në Procesin “17 + 1”, i cili përmban Plan për bashkëpunim kulturor për dy vitet e ardhshme (2020-2021). Plani i përfshin aktivitetet në fushat e industrive kulturore dhe kreative, trashëgiminë kulturore, filmin dhe shpërndarjen e filmave, unionet e bibliotekave, si dhe përpilimin e orkestrës simfonike nga 18 vendet anëtare të Procesit “17 + 1”.

Në Forum do të promovohet edhe ueb-platforma për komunikim, koordinim dhe rrjetëzim të institucioneve kulturore, punëtorëve kulturorë dhe artistëve nga të gjitha vendet e përfshira në Procesin “17 + 1”, i cili do të shërbejë si mjet themelor për mbledhjen, klasifikimin dhe shkëmbimin dhe ndarjen me kohë të informatave në fushën e kulturës.

Pjesëmarrësit në Forum do ta vizitojnë sonte Muzeun e Artit Bashkëkohor në Shkup, ndërsa do të marrin pjesë edhe në koncertin solemn të Orkestrës së Filarmonisë Kombëtare.

Në Forumin e katërt për bashkëpunim kulturor ndërmjet RP të Kinës dhe vendeve të EQL-së marrin pjesë delegacionet e larta nga vendet anëtare të Procesit, duke i përfshirë edhe ministrat e RP të Kinës, Serbisë, Malit të Zi, Sllovenisë.