Në sallën e gjykatës u takuan përsëri, por kësaj here jo për “Perandorinë” por për “Reket”. Kësaj radhe me role të ndryshuara. Katica Janeva dhe Bojan Jovanovski në bankën e të akuzuarve, ndërsa Kamçevi si dëshmitar. Katica nuk i parashtroi Kamçevit asnjë pyetje, ndërsa pyetjeve që i parashtroi prokurorja Ruskoska dhe Bojan Jovanovski i cili ishte në gjendje të shkëlqyeshme shëndetësore, iu përgjigj në mënyrë të detajuar. Derisa Kamçev ishte në paraburgim, Boki 13 i ka kërkuar para bashkëshortes së tij, Ana Kamçeva, ndërsa shpesh herë përmes spikerfonëve në bisedë është kyçur edhe ish -specialja Katica Janeva. Kamçev nuk ka dhënë oferta për t’u marrë vesh me PPS-në, megjithatë, një herë kur e kanë dërguar nga Shutka në PPS, ka marrë urdhër për ta paguar shumën që e kërkon Bojan Jovanovski. Të gjitha lëndët e PPS-së që janë formuar pas afatit për hapjen e hetimeve, kanë të bëjnë me zhvatje, mendon Kamçev.

“Dua të theksoj se rasti “Perandoria” është rast i cili është hapur për zhvatje, sepse edhe me mendimin parimor juridik të Gjykatës Kushtetuese, ata nuk kanë qenë paditës të autorizuar, sepse janë marrë lëndët nga viti 2002, lëndë që janë të vjetra 18 vjet e të cilat janë të mbyllura me rezoluta të prokurorëve, gjë që nuk është normale. Në qoftë se kam bërë ndonjë krim, me siguri se do të përgjigjem para opinionit publik. Unë jam njeri i cili punëson 3 mijë persona, tatimpaguesi më i madh në këtë shtet. Personat si Bojan dhe Katica nuk kanë leje ta shkelin imazhin tim dhe të familjes sime”, tha Orce Kamçev.

Kamçev shtoi se kumbar i “Perandorisë” ka qenë pikërisht Boki 13 duke thënë se në bankën e të akuzuarve mungojnë edhe tre persona.
Gjatë pyetjeve të kryqëzuara, Jovanovski me pyetje ka tentuar që të imponojë se Kamçev vetë ia ka dhënë paratë. Për xhiron që e ka bërë Kamçev, Jovanovski ka parashtruar kallëzim penal. Duke folur për takimet, Kamçev tha se në një prej takimeve ka ardhur edhe ministri i shëndetësisë Venko Filipçe.

“Nuk është i rëndësishëm projekti, sepse Bojan Jovanovski jermonte, fliste marrëzira dhe kishte ide të bëjë partneritete publiko-private. Ky ishte një takim, të cilin nuk e kam konfirmuar unë, pa interes, as nga ministri dhe mendoj se kjo ishte vetëm një muhabet”, u shpreh Orce Kamçev.

Kamçev shtoi se 1TV si dhe emisioni Insajder janë krijuar për të bërë zhvatje, ndërsa këtë e konfirmon me video incizime kur Boki 13 duke folur me Kamçevin në spikerfon, e shikon emisionin në shtëpinë e tij. Ndaj shumë personave është bërë zhvatje, por vetëm ai e ka denoncuar rastin, tha Kamçev.

“Dhe në fund të fundit, ju jeni gazetarë të zgjuar, mund të hapni e të kontrolloni se kush është reklamuar në 1TV nga 200.000 euro, siç tha Bojan Jovanovski me reklama dhe marrëveshje normale, dhe do t’ju bëhet e qartë se të gjithë këta ishin cak i zhvatjes dhe viktima të kësaj shoqërie kriminele. Të gjithë ata që në 1TV kanë paguar reklama, të gjithë në njëfarë mënyre janë përndjekur nga Bojan Jovanovski, Katica Janeva dhe nga i gjithë grupi”, theksoi Jordan Orce Kamçev.

Kamçev mbetet i dyshuar në rastin “Perandoria”, i cili pas marrjes nga ana e Lubomir Joveskit përsëri i është dhënë Lile Stefanovës. Bashkëshortja e Kamçevit, Ana Kamçeva, sot nuk erdhi në gjykatë sepse ka pasur temperaturë të lartë. Ajo do të dëshmojë në seancën e radhës e cila është caktuar për më 10 dhjetor.