Me automjetet special “karrotrec” javën e kaluar janë larguar 314 automjete nga sipërfaqet publike në Shkup. Nga numri i përgjithshëm i automjeteve të larguara dhe të parkuara në mënyrë të paligjshme, 34 janë të larguara nga parking-zona, ndërsa 280 automjetet tjera me urdhër të policisë së komunikacionit për shkak të shkeljeve të bëra: parkim në rrugë, shtegun për çiklistë, kalimin e këmbësorëve, trotuare, sipërfaqe jeshile, në kundërshtim me shenjat e komunikacionit, si dhe me thirrje nga person i tretë.

Kontrolluesit në parking-zona në të njëjtën periudhë kanë sanksionuar gjithsej 404 automjete, për parkim të papërshtatshëm, gjegjësisht për shërbim të papaguar të parkingut. Nga ato 404 automjete, 34 janë të larguar me automjet special  “karrotrec”, për shkak të tejkalimit të afatit të lejueshëm për parkim, kumtoi shërbimi për shtyp i Qytetit të Shkupit.

Autoritetet e qytetit apelojnë deri tek qytetarët që ta ruajnë gjelbërimin dhe sipërfaqet e tjera publike, ndërsa automjetet e tyre t’i parkojnë vetëm në parkingjet e caktuara. Apelojnë edhe deri tek të gjithë përdoruesit e shërbimeve për parking, që ta rregullojnë në kohë pagesën për shërbimin e parkingut, që mos të sanksionohen dhe mos t’ju vendoset bllokator. Pagesa e shërbimit të parkimit mund të bëhet përmes SMS porosive.