Ministri i Kulturës, Hysni Ismaili deklaroi se nuk ndjen përgjegjësi për ngjarjen e së premtes në Teatrin opoullor të Maqedonisë, kur në vazhdim të shënimit të Ditës ë alfabetit shqip u mbajt ngjarje në të cilën festonin tifozët e KF “Skupi” – “Shvercerët” pas çka është dëmtuar inventari në teatër.

Tha se Ministria e Kulturës nuk ka qenë organizuese e ngjarjes, por është mbështetëse e ngjarjes që u mbajt në hapësirë të Ministrisë dhe se nuk mund t’i kontrollojë të gjitha ngjarjet dhe sjelljet e njerëzve që marrin pjesë. Atë ditë, tha, ka pasur dy ngjarje, ka qenë i ftuar, por nuk ka mundur të marrë pjesë për shkak të obligimeve me forumin ministror për kulturë.

“Ministria e Kulturës apo unë personalisht nuk ndjen përgjegjësi sepse për këtë përgjegjës është organizuesi, drejtori i atij institucioni. Në masë më të vogël as ata nuk janë shumë përgjegjës sepse nuk mund të kontrollojmë gjithçka, si do të sillet secili individ në ndonjë institucion publik, në ndonjë ngjarje publike. U njoftova se diçka ka ndodhur, por këto dy ditë, tërë kohën jam me ministrin nga Kina”, deklaroi Ismaili i pyetur nëse do të mbajë përgjegjësi për demolimin në TPM.

Siç tha, “ngjarje të tilla ka pasur edhe më herët dhe do të ketë edhe në të ardhmen” dhe se ministri apo Ministria nuk mund t’i kontrollojë të gjitha ngjarjet dhe të gjithë mysafirët që do të vijnë dhe çka do të bëjnë. Tha se dëmin duhet ta kompensojnë ata që e kanë bërë.

“Së pari të konfirmohet dëmi dhe kush e ka bërë atë, ta kompensojë. Janë të kundërta deklaratat se ka pasur dëm, se nuk ka pasur dëm, kush ka qenë organizuesi. Punët janë shumë të ndërlikuara dhe të paqarta, së paku për mua. Ka ligje dhe institucione dhe nëse ka shkelje të ligjit, të gjithë duhet të mbajnë përgjegjësi pas dallim se kush janë. Ministria e Kulturës dhe konkretisht unë nuk jam organizues i asaj ngjarje”, tha Ismaili pas dekalratës së përbashkët me ministrin kinez të Kulturës, Luo Shugang.

I pyetur nëse ka biseduar me drejtoreshën e TPM-së dhe me sekretarin shtetëror në Ministrinë e Kulturës, Valmir Azirin dhe deputetin Artan Grubi, që të dy nga BDI, ministri Ismaili, i cili është kuadër i partisë “Alternativa”, tha se ka pasur biseda sipërfaqësore për shkak të ngarkesës rreth forumit ministror dhe pranisë së ministrit nga Kina. Tha se pas largimit të tij sot. prej nesër do të shohë, siç tha, më konkretisht se për çka bëhet fjalë.

Shtoi edhe se në vend se të të interesohen për një ngjarje të bukur siç është forumi ministror, gazetarët parashtrojnë pyetje si për një prokuror publik i cili duhet të gjejë fajtorët dhe të gjykojë për diçka për të cilën, siç tha, ai më së paku ka faj.