Lideri i organizatës islamike palestineze Hamas, Ismail Hania, sot vlerësoi se ngritja e aktakuzës për korrupsion kundër kryeministrit izraelit, Benjamin Netanjahu e ngritë moralin e popullit palestinez.

Duke iu drejtuar gazetarëve në qytetin Rafah, në Rripin e Gazës, Hania deklaroi se bëhet fjalë për akuza serioze të cilat paraqesin shenjë për “qëndrueshmëri më të madhe” të palestinezëve, transmetuan mediumet amerikane.

Ai shtoi se aktakuza nxitë edhe rezistencë më të madhe, “si popullore, ashtu edhe të armatosur”.

Kryeprokurori shtetëror izraelit të enjten kumtoi se është ngritur aktakuzë ndaj Netanjahut për mashtrim, keqpërdorim të besimit dhe marrje të mitos.

Netanjahu është kryeministri i parë izraelit ndaj të cilit ngritet aktakuzë për ndonjë vepër penale derisa është në funksion.