Simone Inzaghi do të jetë trajneri i ri i Interit. Vetëm disa orë pas ndërprerjes së bashkëpunimit me trajnerin Conte, zikaltrit kanë nxituar të arrijnë marrëveshjen me ish teknikun e Lazios, ndërsa zyrtarizimi pritet të vijë brenda ditës së nesërme.

Vetëm 24 orë më parë Inzaghi darkoi me presidentin e Lazios, Claudio Lotito, të cilit i dha fjalën për rinovimin e kontratës, por zikaltrit vepruan shpejt dhe në mënyrë bindëse ditën e sotme, duke i ndryshuar mendjen ish sulmuesit italian.

Një ofertë prej 4.2 milionë eurosh në sezon, që mund të shkojë deri në 5 bashkë me bonuset dhe që është dyfishi i asaj që i ofronte Lazio, bënë që Inzaghi të zgjedhë transferimin në Milano, ndërsa bardhekaltrit njoftuan edhe divorcin me teknikun nëpërmjet një komunikate zyrtare.

“Respektojmë vendimin e një trajneri, që edhe më parë si lojtar ka lidhur emrin e tij me klubin e Lazios”, thuhet në komunikatën e klubit bardhekaltër, që nuk denjon t’i përmendë emrin Inzaghit.

Ndërkohë klubi kryeqytetas ka lëvizur menjëherë për të gjetur pasuesin e Inzaghit, pasi ka kontaktuar trajnerin e Bolognës, Sinisa Mihajloviç, i cili ka një të kaluar si futbollist te Lazio dhe e njeh mirë ambientin.