Në ditën e sotme

24 nëntor 2019 

1639. – Astronomi Xheremi Horroks ishte i pari që vështroi orbitën (kalimin rreth diellit) të planetit Afërdita.

1848. – Lindi Lili Leman, sopranoja e njohur gjermane. E famshme për repertorin e saj shumë të gjerë, ajo këndoi në shfaqjen e parë të ciklit të Vagnerit “Der ring des Niebelungen”.

1859. – Botohet vepra e diskutuar “Origjina e llojeve” e Çarls Darvinit. Teoria revolucionare e tij për evolucionin shkaktoi diskutime të mëdha dhe shumë njerëz të kishës u frikësuan se ky libër do të minonte besimin fetar.

1887. – Pushoi së botuari revista mujore “Flamuri i Arbrit”, themeluar nga De Rada në vitin 1883 në Maki dhe Kozencë. Pavarësisht censurës turke e greke ajo u lexua gjerësisht nga shqiptarët në Ballkan.

1916. – Vdiq sër Hiram Maksim, shpikës britanik me origjinë amerikane, i njohur për mitralozin që mban emrin e tij.

1929. – Vdiq politikani francez Zhorzh Klemenso’. I njohur si “Tigri”, ai ishte dy herë kryeministër i Francës dhe kryesoi delegacionin e këtij vendi në konferencën e paqes në Versajë në vitin 1919.

1933. – Vdiq në Kajro poeti, dramaturgu Milo Duçi, i njohur me pseudonimin Lulo Malësori. Ai është autori i të paktën 6 pjesëve teatrale. Pjesën më të madhe të jetës e kaloi në Kajro, duke mbështetur Lëvizjen kombëtare Shqiptare. Në vitin 1897 u bë kryetar i shoqërisë “Vëllazëria”, qendër ku mblidheshin shqiptarët në Egjipt. Është autor i gazetës “Besa besë” dhe i revistës mujore në gjuhën shqipe “Toska”. Me formimin e qeverisë së parë të Shqipërisë së pavarur, Duçi u kthye në atdhe, ku botoi për një kohë të shkurtër nga qershori deri në gusht 1914 gazetën e përdyjavshme “Zana” në Durrës. Zhvillimet politike në Shqipëri e detyruan të emigrojë sërish në Kajro, ku edhe vdiq.

1944. – Gjatë Luftës së Dytë Botërore, kryeministri polak në mërgim, Stanislav Mikolajçik, jep dorëheqjen në shenjë proteste për mungesën e ndihmës dhe mbështetjes ndaj kryengritjes së Varshavës.

1945. – U krijua Gjyqi Ndërkombëtar i Drejtësisë në bazë të artikullit 92 të Kartës së Kombeve të Bashkuara për rivendosjen e Gjyqit të Përhershëm të Drejtësisë Ndërkombëtare me qendër në Hagë të Holandës.

1969. – Nënkoloneli i ushtrisë amerikane William L.Kallei, i akuzuar për masakrën e 100 civilëve në fshatin vietnamez Mi Lai në mars të vitit 1968, urdhërohet të dalë para trupit gjyqësor ushtarak.

1976. – Një tërmet i fuqishëm godet provincën Van në Turqi. Si rezultat i shkatërrimit të qytetit Muradije dhe qindra fshatrave rreth tij, 5291 vetë gjetën vdekjen, mbi 5000 vetë u plagosën dhe mbi 50 000 të tjerë mbetën pa shtëpi.

1991. – Ylli i muzikës pop, Fredi Mërkuri, lider i grupit “Kuin” vdes nga AIDS.

1992. – Nje aeroplan “Boing 737” i shoqërisë kineze, rrëzohet në jugperëndim të vendit, duke shkaktuar vdekjen e 141 personave në bord. Kjo ishte katastrofa më e rëndë në historinë e aviacionit kinez.

1998. – Gjenerali Emil Lahud bën betimin si president i parë i Libanit, që nga mbarimi i luftës civile 15 vjeçare.

1999. – Shtatë rebelë të Partisë së Punonjësve të Kurdistanit u vranë gjatë luftimeve me ushtrinë turke në krahinën e Mardin (juglindje të Turqisë).

2000. – Në Zagreb, Republika e Maqedonisë e parafuan Marrëveshjen për stabilizim dhe asocim të Republikës së Maqedonisë me vendet e Bashkimit Evropian.

2000. – Një funksionare e organizatës për koordinimin e ndihmës humanitare, Carolyn Mcaskie, deklaroi se për OKB-në nuk është momenti i përshtatshëm të ndërhyjë në Çeçeni për arsye të sigurimit.

2004. – Vdiq letrari Artur Hejli, romanet e të cilit janë përkthyer në 38 gjuhëdhe janë publikuar në 40 vende. Veprat: “Aerodromi”, “Mbingarkesa” dhe “Detektiv”.