Me ndërrimin e ministrave, në disa dikastere që drejtohen nga ministra maqedonas nuk respektohet ligji për gjuhët, respektivisht gjuha shqipe. Ministria e Punës dhe Politikës Sociale është dikasteri që aspak nuk e respekton gjuhën shqipe. Faqja zyrtare është vetëm në maqedonisht, pa mundësi të kalimit të të njëjtës edhe në gjuhën shqipe. Shqipja nuk përdoret madje as në komunikatat që ky dikaster u dërgon mediave. Në listën e ministrive që nuk e respektojnë shqipen edhe në komunikim me mediat janë edhe Ministria e Informatikës, Ministria e Arsimit, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Shëndetësisë.

Edhe pse disa prej këtyre institucioneve komunikatat nuk i dërgojnë në dy gjuhë, në disa raste si në atë të Ministrisë së Arsimit, në gjuhën shqipe është vetëm emri i institucionit. Ndërsa në rastin e Ministrisë së Financave, gjatë kohës kur drejtonte Nina Angellovska, komunikatat dhe emri i institucionit në ato komunikata nuk ishin në gjuhën shqipe. Tani komunikatat dërgohen në dy gjuhë, mirëpo emri institucionit tek të njëjtat figuron vetëm në gjuhën maqedonase dhe angleze.

15 ministri faqet e tyre zyrtare i kanë në dy gjuhë, mirëpo tek pothuajse të gjitha, disa nga materialet në nënkategoritë e faqeve vazhdojnë të jenë në gjuhën maqedonase.

Ministritë me faqe zyrtare edhe në Gjuhën Shqipe

Edhe pse nga Ministria për Shoqëri Informatike dhe Administratë, para një viti kishin paralajmëruar unifikimin e faqeve zyrtare, si në strukturë ashtu dhe në pamje, mirëpo diçka e tillë nuk ka ndodhur.