Historia përsëritet. Gjuha e urrejtjes nga anëtarë të Akademisë së Shkencave dhe Arteve Maqedonase nuk ka të ndalur. Ngjashëm me enciklopedinë maqedonase të vitit 2009 e cila përhapi gjuhën e urrejtjes ndaj shqiptarëve, sot një akademike tjetër vazhdon të përhapë gjuhën e urrejtjes etnike dhe fetare në shtetin e brishtë.

Akademik Katica Qullakova, anëtare e rregullt e Akademisë së Shkencës dhe Arteve  mbrëmë në profilin e saj në tutër  shkroi: “Çmimin e bashkëjetesës e paguajmë me jetë”,  shkrim ky që shkon në të njëjtën linjë me narativat që përhapin idetë nacionaliste dhe shoviniste, sipas të cilëve për përhapjen e koronavirusit fajtorë janë bashkësitë etnike që nuk janë maqedonase dhe të krishterta.

Ky tuit i saj mbrëmë u shpërnda 53 herë nga profile anonime.

Pas tij pati një sërë reagimesh po në tuitër dhe Qulakova u detyrua ta fshinte postimin, duke thënë se ai është mendimi i saj personal dhe nuk ka lidhje me situatën ndëretnike në Maqedoni.

Akademik Abdylmenaf Bexheti ka reaguar ndaj gjuhës së urrejtjes së Qullakovës, duke numëruar një sërë pikëpamjesh raciste të saj.

ABDYLMENAF BEXHETI, AKADEMIK

“Nuk është hera e parë që Katica Qullafkova, gjuhëtare apo edhe shkrimtare, siç e konsideron veten, publikon qëndrime personale që nuk i ka hije një njeriu te thjesht e lëre më një intelektuali apo edhe më keq një akademiku për bashkëqytetarlt e vet.

E ngarkuar edhe me recidivet e së kaluarës, e frustruar nga ndjenja e indiferencës dhe krizës identitare nga të tretët përreth, etnocentrizmin e akumuluar si rezultat i perspektivës dëshpruese e vjellë ndaj bashkëqytetarëve si ndjenjë e të gjitha të këqijave që i ndodhin vendit.

Është po kjo gjuhëtare  ‘akademike’ që kohë më parë të drejtën e gjuhës shqipe e cilësoi  ‘krim kulturor’ ndaj gjuhës maqedone!”

Akademik Bexheti  po ashtu kujton momentin kjo  gjuhëtare në një paraqitje  ttë tij  në foltore të Akademisë me gjuhën shqipe një vit më parë është trazuar, siç shkruan ai, sikur gjarpri ta kishte kafshua!

ABDYLMENAF BEXHETI, AKADEMIK

“ Tmerr!  Niveli im kulturor, akademik dhe kombëtar nuk më lejon të shkoj përtej fjalorit të saj shovenist sepse nuk meriton një vëmendje më të madhe që me shumë bindje e dijë që do ta dëshironte”.

Akademik Bexheti shpreson se bashkëqytetarët tanë do distancohen nga prononcimet e sajë për urrejtje patologjike ndaj bashkëqytetarëve duke i konsiderua ata fajtorë kujdestar edhe për çështje kaq planetare siç është rasti i pandemisë Covid-19! Ai po ashtu pret që së paku kryetari Akademisë  të distancohet nga këto qëndrime, siç tha ai psikopatologjike të një anëtareje.

Në ndërkohë nga Komiteti I Helsinkit kanë paralajmëruar se nesër do të reagojnë ndaj përhapjes së gjuhës së urrejtjes nga ana e akademik Katica Qullakova.