PARA 142 VITEVE EDHE SHKUPI ISHTE ME TRUP E MENDJE NË PRIZREN

Sot kur kujtojmë 142 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, na imponohet vetvetiu kronologjia e atyre ngjarjeve të bujshme që morën karakter gjithëkombëtar, dhe për herë të parë në një Kuvend shqiptarësh u vendosën kornizat e platformës politike e ushtarake për çlirim kombëtar.

Një hallkë shumë e rëndësishme e këtij organizimi ushtarak dhe politik të shqiptarëve, 142 vjet më parë, ishte edhe Shkupi, përkatësisht dega e Lidhjes së Prizrenit në Shkup, e personifikuar me emrin e kryetarit të kësaj Dege – atdhetarit të shquar, Jashar bej Shkupit, kontributi i të cilit në ato procese kombëtare, mbetet jashtëzakonisht i rëndësishëm për të gjitha kohërat.

Si kryetar i Komunës së Çairit, që fatkeqësisht për shkak të pandemisë nuk isha në gjendje të jem i pranishëm fizikisht në kremtimin e kësaj ngjarjeje, kam arsye të ndjehem sot krenar në 142 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, sepse pikërisht në territorin e kësaj komune ndodhen gjurmët e kohërave që e bënë historinë. Për ta nderuar kryetarin e Degës së Lidhjes Shqiptare, në Shkup, jemi munduar që kjo të bëhet edhe duke ua kujtuar brezave të rinj historinë e lavdishme të qytetit tonë dhe atyre që kontribuan në ngjarjet e mëdha kombëtare. Kjo ishte edhe arsyeja që sot me krenari mban emrin e Jashar Bej Shkupit, një nga shkollat tona, që gjendet në lagjen e vjetër Dyqangjik , në të cilën edukohen dhe arsimohen nxënës në tri gjuhë mësimore: shqip, maqedonisht, turqisht.
Gjithashtu vitin e kaluar (2019) nën organizimi të Postës së Maqedonisë së Veriut dhe Institutit të Trashëgimisë Kulturore dhe Shpirtërore, u bë promovimi i pullës së re postale, “70 vite nga vdekja e Jashar Bej Shkupit”, një dëshmi kjo se institucionalizimi i kujtesës sonë historike ndodhet në rrugë të mbarë.
Në fakt figura dhe vepra e Jashar Bej Shkupit do të bëhet më e njohur për opinionin e gjerë vetëm pas punës së palodhur hulumtuese e shkencore të drejtorit të ITSHKSH, Dr. Skender Asanit, punë kjo që tash më është bërë pjesë e një fryme e cila pritet të jep rezultate konkrete në ndriçimin e historisë së panjohur për Shkupin dhe veprimtarët që i dhanë këtij qyteti vulën e lavdisë kombëtare.

Urime 142 vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, me shpresë që e kaluar e lavdishme do të na shërbejë si impuls për ide dhe projekte emancipuese – sot dhe në të ardhmen. Gëzuar!” – Visar Ganiu, kryetar i Komunës së Çairit

PS. Pamje nga aktiviteti i sotëm, në Shkollën Fillore “Jashar Bej Shkupi” në Çair, ku u dhuruan libra në ditën e patronazhit dhe në nderë të figurës së madhe kombëtare, emrin e të cilit e mbanë shkolla.