Ballina BOTA Franca ndryshon qëndrimin ndaj Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut

Franca ndryshon qëndrimin ndaj Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut

Franca del me qëndrim të ri sa i përket hapjes së negociatave me Shkupin dhe Tiranën.

Ambasadori francez në Shkup, Kristijan Timonie për dallim nga deklaratat e mëparshme ku theksonte se njëherë duhet të reformohet zgjerimi dhe më pas të hapen negociatat, tani thekson se dy proceset mund të bëhen paralelisht, përkatësisht edhe hapja e negociatave edhe zbatimi i metodologjisë.

“Nga ana jonë ekziston çështja e reformës së funksionimit të BE-së, sepse nuk do të ketë kuptim që të ju pranojmë në union që nuk ka rend. Nga ky këndvështrim do të them se proceset mund të udhëhiqen paralelisht, sepse rruga që është para jush nuk është e shkurtër, por gjithsesi është edhe rrugë e reformave tona të brendshme në union, e cila poashtu nuk është e shkurtër. Me gjasë do të bashkohen dhe mendoj se do të na duhet të punojmë në këtë drejtim. Kjo është qasje pozitive dhe mendoj se jemi më të sinqertët që i themi çështjet ashtu siç janë. Mendoj se në këtë moment atë që u cilësua si gabim historik, ne po e bëjmë mundësi historike”, tha Kristijan Timonie.

Kurse, kreu i Parlamentit Evropian, Dejvid Sasoli tha se harta e BE-së duhet të zgjerohet me vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Duhet të bisedojmë, por mendoj se procesi nuk është ndërprerë, por duhet urgjentisht të nxitet. Mendoj se ekzistojnë mundësi që në muajt e ardhshëm të niset me procesin e kyçjen e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, ndërsa ajo është shumë e rëndësishme. Në Parlament ka vullnet të mirë për vendime kur bëhet fjalë për procesin e anëtarësimit”, pohoi Dejvid Sasoli, kryetar i Parlamentit Evropian.

Këto komente Sasoli i bëri pas takimit me krerët e Kuvendeve të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Nga ana tjetër zv.kryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani i cili gjithashtu ndodhet në Bruksel tha se ka sinjale pozitive për fillimin e bisedimeve me BE-në para muajit maj. Me rëndësi sipas tij është që ligji për prokurorinë të sillet me konsensus që t’i merren, siç tha ai, argumentet vende të cilat janë kundër zgjerimit të BE-së./shsh