Tani që kemi aq shumë rrëfime të mira që shfaqen në televizione dhe po kaq shumë regjisorë të vlerësuar që prodhojnë filma, që mund t’i shikoni në shtëpitë tuaja vetëm pak javë pas shfaqjes së tyre nëpër kinema, pyetja se “pse duhet shkuar fare në kinema?” bëhet më valide më shumë sesa kurrë më parë.

“Ford v Ferrari”, një film i bazuar në jetën reale, i James Mangoldit, ngërthen një lloj përgjigjeje: Është madhështor që ta shikoni – do të mund të dëshironi të jeni në ulësen e shoferit. Dhe derisa është njëmend kënaqësi të shikoni veturat tek lëvizin vërtet shpejt përpara një ekrani të vogël – 31 milionë shikues të NASCAR-it nuk mund ta kenë të gjithë gabim – është kënaqësi larg më e madhe që ngasjet skajshmërisht të shpejta të shikohen në përmasa më të mëdha sesa realja.

“Ford v Ferrari” është tepër i gjatë, ama filmi ka stil të veçantë dhe energji për të kursyer. Është i shpejtë, ama kurrë i furishëm.

Matt Damoni luan rolin e disenjatorit dhe sipërmarrësit të çiltër të veturave – dhe njëherësh edhe ngasësit në garat me vetura – Carroll Shelby, i cili, që në hapje të filmit, rreth mesit të viteve ‘60, shtrëngohet që të heqë dorë prej karrierës së tij me vetura për shkak të telasheve shëndetësore.

Ai megjithatë vendos që të mos e lërë krejtësisht shtegun e shpejtësive, duke iu dhënë një sfide në shikim të parë të pamundur: Ta ndihmojë kompaninë “Ford Motor” që ta zhvillojë një veturë garash që do t’i rivalizonte ata të mjeshtrit evropian Enzo Ferrari; synimi është që të sigurohet fitorja në një garë rraskapitëse, 24-orësh, të njohur si Le Mans. Shelby është mjaftueshëm kryelartë sa ta angazhojë shoferin dhe inxhinierin më të mirë të garave që njihte, anglezin që jeton në Los Angeles, Ken Miles (Christian Bale), një tip i shkujdesur, adhurues çaji që i njeh mekanikat delikate të veturave garuese, si nga brenda ashtu edhe nga jashtë, por që kurrsesi t’ia dalë në relacionet me qeniet njerëzore.