Kryetarja e re e Komisionit Evropian Ursula fon der Lajen duke folur para Parlamentit Evropian ka thënë se tërësisht e mbështet propozimin për hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.
“Procesi i inkuadrimit ofron mundësi të vetme për promovimin dhe zbatimin e vlerave tona themelore dhe interesat”, ka thënë ajo.
Fon der Lajen gjatë prezantimit të programit dhe përbërjes së re të KE-së, ka thënë se dyert e BE-së për Ballkanin Perëndimor mbeten të hapura.
“Duhet t’u tregojmë miqve tanë nga Ballkani Perëndimor se ndajmë një kontinent, të njëjtën histori, të njëjtën kulturë dhe e ndajmë të njëjtin fat. Dera jonë mbetet e hapur”, ka thënë Fon der Lajen.
Ajo ka shtuar se është e kënaqur që ekipi i saj ka diplomatë me përvojë si Zhozel Borel dhe Oliver Varhejli të cilët do të promovojnë dhe mbrojnë interesat e BE-së dhe do të përkrahin partnerët e BE-së.
“Ne do t’i forcojmë partnerët tanë përmes bashkëpunimit, pasi partnerët e fortë e bëjnë BE-në të fortë”, ka thënë Fon der Lajen.
Fon der Lajen është fokusuar në mbrojtjen e klimës, rolit të BE-së dhe punëve të jashtme, tregtinë dhe ekonominë e BE-së, digjitalizimin dhe inovacionet.
Ajo ka thënë se BE do të fitojë Komision gjeopolitik që “urgjentisht i nevojitet”.
“Vendeve të Lindjes, Perëndimit, Jugut dhe Veriut u nevojitet partner i vërtetë në BE”, ka thënë Fon der Lajen.
Ajo ka potencuar se BE nuk është vetëm politikë, ligje dhe tregje, por në rend të parë janë njerëzit dhe aspiratat e tyre për liri, vlera dhe të ardhme më të mirë.
“Gjatë pesë viteve të ardhshme do të punojmë në transformimin e çdo pjese të shoqërisë dhe ekonomisë tonë”, ka thënë kryetarja e ardhshme e KE-së.
“Ne jemi të gatshëm, çka është më e rëndësishme, Evropa është e gatshme. Të fillojmë të punojmë”, ka konkluduar Fon der Lajn.
Parlamenti Evropian do të votojë për krejt përbërjen e Komisionit me shumicë të thjeshtë të votave nga eurodeputetët e pranishëm të cilët do të marrin pjesë në votim.