Pas shumë viteve premtime dhe projektime rruga e famshme e “Plastikëve”, në Shkup do të filloj të rikonstruohet. Në mëngjesin e sotëm një pjesë e parqeve përgjatë kësaj rruge janë izoluar dhe fillimi i punimeve është çështje ditësh. Zëdhënësi i Qytetit të Shkupit, Valon Salihu, sqaron se rikonstruimi i kësaj rruge parasheh edhe zgjerimin e saj nga ana e djathtë, e bulevardin “Nikolla Karev”, gjegjësisht nga Ura e Bit Pazarit e deri te Kazerma e “Ilindenit”.

“Gjatë këtyre punimeve do të ketë ndërhyrje edhe në përmirësimin e rrjetit të ujësjellësit dhe kanalizimit, respektivisht instalimit nën tokësor të rrjetit elektrik dhe kabllove tjera. Po ashtu në të dy anët e kësaj rruge do të ketë shtigje për biçikleta”, sqaron Salihu.

Ndryshe, rruga e “Plastikave”, në kryeqyteti njihet së njëra prej pikave të zeza të komunikacionit rrugor. Kaosi në trafik është përditshmëri në këtë pjesë të Shkupit. Ndërkohë, sipas paralajmërimeve të Qytetit të Shkupit, lehtësimi i trafikut në këtë rrugë, po ashtu pritet të zgjidhet me ndërtimin e tuneleve nën Kalanë e Shkupit, projekti ky i cili ende është në fazën fillestare.