Komisioni kuvendor për financim dhe buxhet sot do të diskutojë për Propozim – buxhetin e Republikës së Maqedonisë së Veriut për vitin 2020.

Buxheti për vitin e ardhshëm do të jetë 3,615 miliardë euro, ndërkaq në fokus do të jetë kapitali njerëzor, përkatësisht sistemi më i mirë shëndetësor, arsimor dhe social dhe mbështetja e fuqishme për rritje në sektorin real.

Investimet kapitale janë projektuar në nivel prej 23 miliardë denarëve, ndërsa 56 për qind e shpenzimeve të përgjithshme buxhetore do të shkojnë në fusha në të cilat mbështetet kapitali njerëzor.

Projeksionet në buxhet janë bërë në bazë të rritjes së paraparë për vitin e ardhshëm prej 3,8 për qind të BPV-së, që bazohet në rritjen e konsumit privat, eksportin dhe investimet publike dhe private. Deficiti buxhetor për vitin 2020 është caktuar në nivel prej 2,3 për qind.

Sipas paralajmërimit nga Kuvendi, Propozim-buxheti shtetëror për vitin 2020 në lexim të dytë është pika e vetme e rendit të ditës dhe të Komisionit ligjdhënës-juridik.