Gjykimi për rrënimin e kompleksit Kosmos të Fiat Canoskit, “TNT” është shtyrë për më 28 nëntor, për shkak të gjendjes së përkeqësuar shëndetësore të njërës prej të akuzuarave në rast.

Mbrojtësja e të akuzuarës Aleksandra Avramovska-Dimitrievska, tha se sot në mëngjes i është paraqitur bashkëshorti i Aleksandrës, i cili ishte i shqetësuar. Ai e ka njoftuar se Aleksandra është në gjendje të rëndë shëndetësore dhe me gjakderdhje është dërguar në spital.

Gjykatësi Ognen Stavrev, informoi se do ta presë raportin mjekësor dhe më pas do të njoftojë se si do të vazhdojë procedura.

Në seancën e sotme duhej të merreshin në pyetje dëshmitarët Pavle GacovMillorad Jovanovski dhe Vlladimir Gagovski.

Rasti ndodhet në procedurë dëshmuese dhe e udhëheqë gjykatësi Ognen Stavrev, ndërsa përfaqësues i aktakuzës është Burim Rustemi nga PTHP Kumanovë.

Në “TNT” të dyshuar janë ish kryeministri tash azilant në Hungari, Nikolla Gruevski, ish ministri Mile Janakieski dhe ish kryetari i Komunës së Gazi Babës, Toni Trajkovski. Ata me aktivitetet të përbashkëta, kanë shkatërruar objektin “KOSMOS” të Fiat Canoskit, ngaqë në vitin 2011 e ka ndërprerë koalicionimin me VMRO-DPMNE-në.