-Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj kanë emëruar sot për Drejtor të Ri të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Kreshnik Gashin si dhe për Inspektor të përgjithshëm të AKI-së, Burim Ramadanin.

Haradinaj ka thënë në një postim në rrjetin social, Fejsbuk se Gashi është përzgjedhur në bazë të kompetencave kushtetuese dhe ligjore dhe në bashkërëndim me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.

“Në bazë të kompetencave kushtetuese dhe ligjore dhe në bashkërëndim me Presidentin, sot kam emëruar, Kreshnik Gashi, në postin e Drejtorit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, ndërsa Burim Ramadanin në postin e Inspektorit të përgjithshëm të AKI-së. Profilet e të emëruarve, si figura publike me integritet dhe ekspertë për siguri, garantojnë profesionalizmin dhe kredibilitetin e AKI-së”, shkroi Haradinaj.

Presidenti Thaçi ka dekretuar të dy zyrtarët në këto pozita.

Kreshnik Gashi ka mbajtur pozitën e kryetarit të Bordit të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare të Kosovës (ARKEP), derisa Ramadani ka qenë zëvendës-ministër i Mbrojtjes.

Ky vendim i Haradinajt vjen pasi ditë më parë, Shpend Maxhuni ka dhënë dorëheqje nga pozita e drejtorit të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës.

Maxhuni ishte emëruar në këtë pozitë në prill të vitit të kaluar.

Para kësaj pozite ai ka qenë drejtor i Policisë së Kosovës.