Lufta për pushtet në një sistem demokratik është normale, kur ajo bëhet në kuadër të rregullave korrekte të lojës. Megjithatë, në Maqedoninë e Veriut, lufta për mbisundim të një bashkësie etnike ndaj nj ëtjetër bashkësie etnike është e vazhdueshme dhe shpeshherë jo lehtë e menaxhueshme. Qeveria zakonisht duhet të formohet në koalicion ndërmjet partive maqedonase dhe atyre shqiptare, e kjo është një sfidë e vështirë duke pasur parasysh se premtimet ndaj partnerëve të koalicionit rrallëherë plotësohen.

Përvojë e hidhur e shqiptarëve më partitë maqedonase

Që nga pavarësimi i Maqedonisë së Veriut, pushteti është ndryshuar ndërmjet LSDM-së e VMRO DPMNE-së, ndërsa deri në vitin 2002 partnerë nga ana e shqiptarëve ishte PPD e PDSH, ndërsa pas këtij viti shqiptarët i ka përfaqësuar kryesisht BDI. Përvoja e të gjithë partive politike shqiptare me partitë maqedonase, për fat të keq është e hidhur. Intrigat dhe lojërat e ndyra të pushtetmbajtësve ka bërë që kërkesat e shqiptarëve për më shumë të drejta të mosrealizohen asnjëherë të plota.

Çdoherë në prag të formimit të qeverisë, në momentet kur partitë maqedonase kishin nevojë të patjetërsueshme të marrin në koalicion një parti shqiptare, ata jepnin premtime se do të realizojnë kërkesat e shqiptarëve, por në fund të çdo mandati del se premtimet ishin boshe.

Në pushtet kur ishte LSDM-ja para konfliktit të vitit 2001, ndodhën rastet më të dhunshme ndaj shqiptarëve, si vrasja e tyre për formimin e Universitetit të Tetovës, vrasja dhe arrestimi i shqiptarëve për ngritjen e flamurit kombëtar, dhunë e vrasje për rastin e “Bit Pazarit”, afera e armëve e shumë raste të tjera. Edhe pse pjesë e pushtetit ishin edhe partitë shqiptare, mbi sundimi ndaj tyre ishte më vrazhdët dhe agresiv.

Pas luftës së vtit 2001, Marrëveshja e Ohrit e nënshkruar për të ulur tymin e armëve dhe ndalur gjakderdhjen e mëtutjeshme, duhej të zbatohej tërësisht deri në vitin 2004, por LSDM me dinakërinë e tyre arritën të krijojnë lloj-lloj stërkëmbëza duke e zvarritur implementimin e kësaj Marrëveshje deri në ditët e sotme.

Pas ardhjes në pushtet të VMRO DPMNE-së së udhëhequr nga Nikolla Gruevski, filluan stërkëmbëza të reja ndaj politikës shqiptare. Edhe pse dukej se shqiptarët do të kenë vendin e merituar në pushtet, ata ishin të mbisunduar dhe mirë të mbuluar duke mos lejuar të bëjnë asnjë veprim pa pasur pëlqimin e Gruevskit. Në këtë fazë u krijuan institucione të cilat ua morrën kompetencat atyre ministrive dhe drejtorive që kishin drejtues shqiptarë.

Në këtë fazë filluan devijimet në rrugën e integrimit europian dhe në NATO, pengesat për zbatimin e gjuhës shqipe dhe obligimeve që dalin nga Marrëveshja e Ohrit, u ndërtua projekti “Shkupi 2014”, ndërkq kapakun e problemeve u arrit me arrestimet e rasteve të montuara si “Brodeci”, “Monstra”, “Kumanova”, “Alfat” etj.

Deklarata e përbashkët e partive shqiptare të Maqedonisë së Veriut

Duke parë trysnin e vazhdueshëm nga partitë maqedonase, me ndihmën e Prishtinës dhe Tiranës zyrtare, u arrit që përfaqësuesit e partive politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut: “Bashkimi Demokratik për Integrim”, “Koalicioni Rilindje me Besë” dhe “Aleanca për Shqiptarët”, të arrijnë një deklaratë të përbashkët që do t’ia vendosin si kusht çdo partie maqedonase që dëshiron të formojë koalicion me partitë shqiptare.

Në mesin e këtyre kërkesave ishte edhe arritja e barazisë së plotë në përputhje me Marrëveshjen e Ohrit dhe Kushtetutën, zbatimi i përpiktë i parimit të multi-etnicitetit në Kushtetutën e RMV-së, ku shqiptarët njihen si popullsi shtet-formuese. Pjesë e rëndësishme e kësaj deklarate ishte edhe arritja e barazisë së plotë gjuhësore, përdorimi i gjuhës shqipe në të gjitha nivelet e qeverisjes dhe garantimi i përdorimit të saj si e drejtë themelore dhe kushtetuese. Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë duhet të përcaktojë se “gjuha maqedonase me alfabetin cirilik dhe gjuha shqipe me alfabetin e saj janë gjuhë zyrtare në Republikën e Maqedonisë”.

Si rezultat i këtij bashkimi, shqiptarët arritën që ta dërgojnë në histori regjimin e Nikolla Gruevskit, duke formuar koalicion me LSDM-në.

Megjithatë, edhe pse në fillim dukej se gjithçka është në rregull, LSDM filloi me agjenturën e vjetër të përçaj e sundo. Fillimisht e prishi renditjen në koalicionin qeveritar duke e “larguar” Aleancën për Shqiptarët nga qeveria, e më pas duke e përçarë Lëvizjen Besa, pasi i mori një pjesë të tyre në qeveri.

Vazhdimi është i qartë, edhe pse Ligji për shipen u votua, ai me stërkëmbëza të ndryshme po tentohet të minohet, ndërkaq shqiptarëve pa pëlqimin e tyre po iu serviret edhe opsioni për “një njësi zgjedhore”.

Në pah, dalin sërish problemet e vjetra, të mooskoordinimit dhe mbisundimit ndaj partive shqiptare.

Partitë shqiptare të mos hyjnë në qeveri pa garanca!

Partitë shqiptare duhet të vendosin një parim të qartë gjatë formimit të qeverisë në të ardhmen. Ata duhet të kërkojnë garanci me shkrim dhe me afate kohore të realizimit të premtimeve të tyre, nëse dëshirojnë të jenë dinjitoz në qeverisjen me partitë maqedonase.

Interesi kryesor i partive duhet të jenë interesat e përgjithshme të qytetarëve dhe jo interesat e ngushta partiake.

Kur malli shitet lirë, perceptimi është se ai mall është i pavlerë, prandaj edhe partitë duhet të vendosin kushte të qarta që të shfaqin vlerat e tyre!