Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti duket se do ta ketë të vështirë të merret vesh për formimin e qeverisë me kryetarin e LSDM-së, Zoran Zaev. Në përpjekje të presionit ndaj partnerëve maqedonas, Ahmeti ka marrë një iniciativë që të takohet me të gjithë liderët e partive shqiptare. Në këtë formë ai mundohet t’i qartësojë qëndrimet e partive shqiptare, nëse ata do ta mbështesin idenë për kryeministër shqiptar. Por, a po tregon dobësi Ahmeti me këtë ftesë, apo guxim për t’i qëndruar ballë partive maqedonase!

Ahmeti – Zaev, s’ka marrëveshje

Takim mes kreut të LSDM-së Zaev dhe kreut të BDI-së Ahmeti, në kuadër të negociatave për formimin e Qeverisë rezultoi pa marrëveshje. Ata për mediat deklaruan se kanë shumë pika të përbashkëta por kanë akoma shumë dallime për të cilat duhet të merren vesh. Detaje nga negociatat nuk bëhen të ditura, megjithatë, siç theksuan, bisedimet do të vazhdojnë gjatë ditëve në vijim, ndërsa nëse ka vullnet do të arrihet epilog pozitiv.
Pas takimit me Ahmetin në Kuvend, Zaev tha se i vjen keq që menjëherë nuk mund të thotë se ka marrëveshje mes të dyja palëve. Ai tha ka shumë hollësi për të cilat janë vlen të bisedohet.

Zaev thekson se nuk na duhen zgjedhjet të reja dhe duhet të formohet qeveri e re, pasi duhet avancim në rrugën evropiane.
Ahmeti, megjithatë, pas takimit me kryetarin e LSDM-së, Zoran Zaev në Kuvend tha se kanë biseduar rreth platformave që t’i përafrojnë qëndrimet, duke shtuar se do të varet nga vullneti i dy palëve që të arrihet epilog pozitiv në interes të shtetit.

Rreth çështjes për kryeministër shqiptar e cila ka qenë premtim parazgjedhor nga BDI, Ahmeti ka vlerësuar se sa janë afër, aq janë edhe larg.

Ftesë për partitë shqiptare

Para se të mbahet takimi me Zaevin, Ahmeti bëri ftesë për takim të përbashkët të bllokut politik shqiptar, me rastin e përvjetorit të Marrëveshjes së Ohrit. Zaev këtë e vlerësoi si presion ndaj tij, LSDM-së dhe Koalicionit “Mundemi” dhe porositi se një takim i tillë mund të kenë edhe përfaqësuesit e, siç tha qytetarët joshqiptarë. Nëse është shkas Marrëveshja e Ohrit, potencoi, atje duhet të jenë edhe LSDM-ja edhe VMRO – DPMNE-ja.
Aleanca për shqiptarët dhe Alternativa kanë marrë vendim që kryetarët e partive të Sela dhe Gashi të sjellin vendim, nëse do të marrin pjesë ose jo.
Kryesia e Lëvizjes BESA do të sjellë vendim nesër nëse do të pranojë ose jo ftesën e liderit të BDI-së, Ali Ahmeti. Me gjasë, Kasami do të jetë pjesë e takimit, megjithëse shpresojnë që edhe Ziadin Sela dhe Afrim Gashi t’i përgjigjen pozitivisht ftesës.

Qëndrimi i BESËS është që fituesi me fituesin të lidh koalicion qeveritar, ndërsa është kundër asaj që të gjitha partitë shqiptare të jenë pjesë e Qeverisë.

Pse Ahmeti tani i mbledh liderët shqiptarë?

Krijimi i Tryezës së Partive Shqiptare Parlamentare është inicuar që nga marrëveshja e vitit 2017 e nënshkruar në Tiranë ndërmjet partive shqiptare, si mjet nëpërmjet të cilave do të përmbushen objektivat e parashtruara.

Në këtë marrëveshje thuhet se Tryeza e Partive Shqiptare Parlamentare do të funksionojë sipas parimit të rotacionit dhe do të shërbejë si platformë për harmonizimin e aksionit politik dhe komunikimin transparent me partnerët ndërkombëtarë të Maqedonisë së Veriut, duke kërkuar veçanërisht mbështetjen e Bashkimit Europian dhe institucioneve ndërkombëtare.

Tryeza do të përcaktojë afatet për realizimin e objektivave të sipërpërmëndura, në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Ahmeti tha se radhën e ka pasur që këtë tryezë ta ftoj PDSH-ja, por i gjetur në presion të kohës dhe i akuzuar se ai nuk po e bën një gjë të tillë, ka vendosur që t’i ftojë të gjithë liderët e partive parlamentare shqiptare.
Një ndër çështjet që duhet të diskutohet në këtë Tryezë është edhe çështja e kryeministrit të parë shqiptar i Maqedonisë së Veriut. Problemi thelbësor për këtë çështje duket të jetë arsyeja se ai është premtim parazgjedhor i BDI-së. Por, duke e pasur parasysh se realizimi i këtij qëllimi është prioritet edhe i shqiptarëve, si shenjë e barazisë ndëretnike, atëherë duhet të gjejë përkrahjen e të gjithë partive politike.

Me Marrëveshjen në Tiranë të gjithë partitë shqiptare u dakordësuan se për çështje me interes kombëtar duhet të gjendet gjuhë e pajtimit dhe e përbashkët mes partive shqiptare, karshi presionit të partive maqedonase.
Ahmeti, duket qartë se është i vënë nën presion të LSDM, duke ia bërë të qartë se Zaev mund ta formojë qeverinë edhe pa BDI-në, duke shfrytëzuar deputetë të VMRO DPMNE-së. Ahmeti i mbështetur për muri, kërkon të qartësojë hesapet fillimisht me partitë shqiptare, duke e mësuar pozicionimin e tyre final se çfarë qëndrimi do të mbajnë ata, nëse nuk realizohet kërkesa për të pasur për herë të parë një kryeministër shqiptar në qeverinë e Maqedonisë së Veriut?

Prandaj, Ahmeti kërkon që në emër të Marrëveshjes së nënshkruar në Tiranë, duke e lidhur atë edhe me Marrëveshjen e Ohrit, të kërkojë mbështetje për këtë projekt që ai e konsideron me interes kombëtar.
Ahmeti dëshiron t’i bëjë me dije edhe Zaevit edhe të tjerëve, se nëse ai merr deputet të VMRO-ja vetëm e vetëm për mos ta dhënë kryeministrtin shqiptarë, atëherë edhe shqiptarët do të bashkohen, qoftë edhe duke dalë BESA nga koalicioni me LSDM-në, për ta realizuar qëllimin e tyre.
Vijat duhet të jenë të qarta, se çdo inat rezulton me kundërefket, dhe kjo ka pasoja të rënda. Prandaj, çdo shkëmbim i ideve ndërmjet partive shqiptare dhe qartësimi i qëndrimeve që janë me interes kombëtar duhet të jetë prioritet për të gjitha partitë shqiptare!///Zhurnal.mk