Sondazhet e bëra nga Qendra Maqedonase për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Instituti për Demokraci kanë ngjallur polemika midis qeverisë dhe opozitës, por më e rëndësishmja është se ky sondazh i ka ballafaquar të dy partitë me pakënaqësinë e opinionit.

Pakënaqësi nga LSDM dhe VMRO DPMNE

Nëse rejtingjet e partive dhe dallimi i besimit ndërmjet LSDM-së dhe VMRO DPMNE-së është i vogël dhe mund të konsiderohet si një gabim statistikor, kjo nuk ndodh edhe me mosbesimin dhe zhgënjimin e madh të qytetarëve ndaj partive politike.

Çdo i dyti qytetar i anketuar mendon se LSDM nuk meriton të qeverisë edhe një mandat tjetër, por edhe 59.7 përqind e qytetarëve thonë se as VMRO-DPMNE nuk e meriton sërish të udhëheqë me shtetin.

Nëse në këtë renditje e shtojmë edhe faktin se pothuajse gjysma e qytetarëve të anketuar nuk kanë besim tek asnjë politikan në vend vjen në përfundim se i gjithë establishmenti politik më Maqedoninë e Veriut e ka humbur betejën për besueshmërinë dhe reputacionin e tyre me qytetarët, përveç atyre ushtarëve partiak.

Nga kjo nuk duhet të habitemi se mbi 50% e qytetarëve janë të gatshëm të votojnë për një opsion të tretë, kurse të anketuarit thonë gjithashtu se janë të mendimit se duhet një parti e re politike në vend.

Vetëm katër muaj para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, sondazhet nuk kanë ngjallur shumë shqetësime as për qeverinë dhe as për opozitën. Kryeministri Zoran Zaev në një fjalim parlamentar komentoi me lehtësi se frika për t’u rikthyer sërish në pushtet VMRO-DPMNE-ja do t’i bëjë të votojnë sërish LSDM-në ata qytetarë që janë të pakënaqur me punën e deritanishme të qeverisë.

Nëse këto procese do të shkojnë ashtu siç pretendon Zaevi, pritet të shihet 12 prilli i vitit të ardhshëm, por deri atëherë, shifrat thonë se shumica e të anketuarve, gati 65 përqind, janë të pakënaqur me punën e qeverisë, pasi ajo nuk i kishte përmbushur pritjet e tyre.

Mickoski ende s’mund të ndahet nga “Gruevizmi”!

Ajo që mund të vërehet nga fushata e drejtuar nga qeveria dhe LSDM në pushtet është se e kaluara e VMRO-DPMNE-së do të jetë forca në të cilën Zaev do të atakojë që të sigurojë edhe për një mandat tjetër.

Por, ndryshe nga një qeveri që ka mekanizma për të ushtruar ndikim në një elektorat të pavendosur dhe zhgënjyer, partia kryesore e opozitës duhet të shqetësohet që qytetarët ende nuk e shohin atë si një mundësi serioze politike. Largimi i fotografive të Nikolla Gruevskit nga zyrat e partisë nuk e fshijnë memorien e bashkëpartiakëve por edhe qytetarëve. Nëse mendohet kishte një përpjekje të partisë për tu distancuar nga “Gruevizmi” padyshim që kjo ka dështuar.

Reagimi i liderit të VMRO DPMNE-së Hristijan Mickovski ndaj sondazhit tingëllon më shumë si jehonë e disa kohërave të kaluara sesa një erë e freskët e opozitës. Deklarata e tipit se besojmë fuqimisht në popull, pa iu dhënë opsione të reja, mbetet një deklaratë e vjetërsuar.

Opozita shqiptare ende larg bashkimit

Edhe votuesit shqiptarë janë të zhgënjyer me partitë politike shqiptare. Përçarja ndërmjet partive që pretendojnë se e përbëjnë opozitën edhe më shumë ka revoltuar qytetarët dhe në zgjedhjet e  ardhshme pritet që dukshëm të reflektohet kjo pakënaqësi. Si rezultat i kësaj dukurie, mudn të mos ketë dalje të mjaftueshme të atyre që janë të pakënaqur me partitë në pushtet. Një ngujim në shtëpi, megjithatë do të shkojë në dobi të secilës parti që merr pjesë në zgjedhje, pasi më lehtë do të arrijë të menaxhojë rezultatin nëpërmjet “ushtarëve” partiak që do të mobilizohen maksimalisht.

Partia politike “Alternativa” e drejtuar nga Afrim Gashi ka bërë me dije se janë duke negociuar për një koalicion parazgjedhor me “Aleancën për Shqiptarët” dhe se koalicioni pritet të bëhet publik nga mesi i janarit të vitit 2020. Shpeshherë në të njëjtën vijë është edhe kryetari i “Aleancës për Shqiptarët” Zijadin Sela, por problem vazhdon të mbetet edhe bashkimi i “Besës” që drejtohet nga Bilall Kasami.

E përderisa opozita vazhdon përplasjet, BDI e qetë vazhdon të pret zgjedhjet e 12 prillit. Bashkimi i çdo krahu politik është bashkim edhe i votës shqiptare, duke mos lejuar më që populli i pakënaqur të votojë në llogari të ndonjë partie maqedonase.