Kuvendi i Maqedonisë së Veriut herët në mëngjes të shtunën ka votuar ndryshimet e Kodit Zgjedhor. Me këto ndryshime, komunat Dibër dhe Mavrovë – Rostushë të cilat deri më tani ishin pjesë e Njësisë zgjedhore numër 6 tani kalojnë në kuadër të Njësisë zgjedhore numër 5. Me këto ndryshime rriten shanset që shqiptarët të zgjedhin dy deputetë më tepër në njësinë e 5-të zgjedhore.

Dallim i madh në numrin e atyre që kanë të drejtë vote ndërmjet njësive zgjedhore

Insistimi i partive shqiptare deri të tani ka qenë që të respektohet ligji zgjedhor ku thuhet se nëse ka një dallim prej 5% të votave, atëhëre duhet të bëhet balancim i njësive zgjedhore.  Devijimi nga 5%-shi ligjor në katër njësi zgjedhore e bën procesin zgjedhor jo të drejtë dhe jo të ligjshëm, pasi rekomandimet e OSBE/ODIHR-së, janë të rëndësishme edhe për zgjedhjet, janë të rëndësishme edhe për vlerësimin e komunitetit ndërkombëtar ndaj zgjedhjeve.

Në vitin 2016 dallim i madh i numrit të votuesve kishte ndodhur në Njësinë zgjedhore numër 2 dhe numër 6, kryesiht me votues shqiptarë.

Por, përdallim nga viti 2016, në vitin 2019 katër nga gjashtë njësitë zgjedhore kanë numër më të madh ose më të ulët të votuesve se sa e lejon ligji.

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka njoftuar Kuvendin dhe Ministrinë e Drejtësisë për këtë disbalancë që ka rezultuar nga përditësimi i listës për të dhënat e tremujorit të fundit të vitit 2019. Njësia e dytë ka +5,74% votuesç njësia e tretë, -7,64%ç njësia katër, -6,36%ç dhe njësia gjashtë, +8,60%, lëvizje nga mesatarja ligjore prej -+5%

Dallimi mes njësisë së gjashtë e cila ka numër më të madh të votuesve dhe njësisë së tretë e cila ka numër më të ulët të votuesve është më shumë së 49 mijë votues, që në përkthim me numër të deputetëve gati është 5 deputetë.

Nga Ministria e Drejtësisë pranojnë se numri i votuesve në disa njësi zgjedhore i tejkalon kufijtë ligjor. Sipas tyre, çfarëdo nivelizimi ose propozimi për bartje të disa vendvotimeve nga njëra njësi zgjedhore në tjetrën, duhet të vijë si propozim i KSHZ-së.

Në qëndrimin e plotë të Ministrisë së Drejtësisë, përveç që flasin për këtë problematikë, njoftojnë se tashmë është arritur marrëveshje për zbatimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-së dhe presin që grupet parlamentare të propozojnë ndryshime në Kodin zgjedhor.

Numri i deputetëve shqiptarë mund të rritet

Me ligjin e ri, dy komuna të mëdha ajo e Dibrës dhe ajo e Mavrovë-Rostushes nga njësia e gjashtë zgjedhore kalojnë në njësinë e pestë zgjedhore. Kjo nënkupton se nëse votat e qytetarëve të Dibrës më parë duhej të llogariteshin në të njëjtin thes së bashku me votat e Gostivarit dhe Tetovës, tani votat e dibranëve do të jenë në njësinë zgjedhore numër pesë, së bashku me votat e Strugës, Ohrit e Kërçovës.

Një kalkulim i tillë tregon se numri i shqiptarëve në njësinë zgjedhore numër pesë mund të rritet për 2 deputetë, pasi rritet edhe numri i votuesve shqiptarë në këtë zonë. Megjithatë, edhe numri i deputetëve shqiptarë mund të rritet në njësinë e gjashtë zgjedhore, pasi nga kjo zonë janë larguar votuesit e Mavrovës dhe Rostushes, të cilat vota kryesisht i fitonin partitë maqedonase.

Numri i deputetëve rritet edhe me emra cilësor

Zakonisht partitë deri më tani kanë zgjedhur mënyrën më të thjeshtë për zgjidhje të përkohshme të problemit me disbalancimin e numrit të votuesve në njësitë zgjedhore, duke kaluar vetëm disa vendvotime nga njëra njësi në tjetrën.

Problemi me numrin e vogël të deputetëve shqiptarë po shfaqet edhe nga bojkotimi i shpeshtë i qytetarëve shqiptarë për listat e votuesve, pasi në këto lista po vendosen kuadro jocilësor.

Partitë politike në listat për deputetë do të duhet të ketë emra të rinj, përkatësisht profesionistë të dëshmuar në fusha të ndryshme. Gjithashtu në listat për deputetë duhet të të respektohet barazia gjinore. Këto aspekte do të kontribuonin në ngritjen e cilësisë së debateve në kuvend.

Partitë në Maqedoninë e Veriut duhet kryesisht të reflektojnë në rritjen e cilësisë. Partitë maqedonase kanë paralajmëruar se në zgjedhjet e 12 prillit, në listën e kandidatëve për deputetë do të kenë figura krejtësisht të reja si dhe përfaqësim të barabartë gjinor, ndonëse një gjë e tillë nuk kërkohet me ligj.

Në këtë drejtim duhet të reflektojnë edhe partitë shqiptare. Balancimi i njësive zgjedhore edhe pse është i vonuar, sërish është një hap i duhur, por numri i deputetëve shqiptarë do të rritet edhe me kandidimin e personave ciëlsorë e të përgatitur nëçdo këndvështrim./zhurnal.mk