Editorial nga Agjencia e lajmeve “Zhurnal.mk”

Shkup, 10 gusht – Zhurnal.mk – Ideja e BDI-së për kryeministër shqiptar në Maqedoninë e Veriut ishte premtimi më i madh që iu bë shqiptarëve nga një subjekt politik. Si rezultat i fushatës se BDI do të merr postin e kryeministrit, BDI arriti të fitojë 15 deputetë dhe të jetë në garë sërish për të qene pjesë e qeverisë. Por çka nëse gjatë bisedimeve lëshohet pe për këtë pikë.

Kushtetuesja sqaron: Kush ka 61 deputetë e formon qeverinë

Kushtetuta është e qartë kur flitet për përcaktimin e kandidatit për mandatar të Qeverisë. Pas verifikimit të mandatit të deputetëve të posazgjedhur, në afat prej dhjetë ditëve duhet që Presidenti i shtetit të përcaktojë kandidatin i cili ka siguruar shumicën parlamentare për formimin e Qeverisë.

Kjo tutje nënkupton se në raste konkrete, në qoftë se vetëm një parti politike ka siguruar shumicën, ose përfaqësuesi i asaj partie e njofton kryetarin e shtetin me shkresë nëpërmes të kryetarit të Parlamentit të posazgjedhur se partia në fjalë e ka fituar shumicën.

Në mandatet e fundit nuk kemi pasur rast që vetëm një parti politike të ketë pasur shumicën e nevojshme parlamentare, pra ka qenë e nevojshme, si është edhe rasti tani, jo vetëm një parti, por të paraqitet përfaqësuesi i koalicionit të dy ose më shumë partive të cilat parti kanë siguruar shumicë parlamentare për të marrë mandatin.

Ky afat dhe kjo periudhë kohor është e theksuar në Kushtetutë, dhe theksohet “në afat prej 10 ditësh”, dhe në qoftë se ndodh në afat brenda këtyre ditëve, që asnjë koalicion nuk e njofton kryetarin se nuk ka shumicë, atëherë janë shenjat e para se në Maqedoni do të futemi në një krizë parlamentare kushtetuese politike.

Në një vijë me qëndrimet e Kushtetueses është edhe presidenti Pendarovski, i cili ka thënë se presidenti pret që në afatin e paraparë Kushtetues – brenda 10 ditëve nga konstituimi i Parlamentit, t’i jep mandatin kandidatit të partisë ose partive që kanë shumicë në Parlament.
ASH pranon të hyjë në qeveri, nëse Naser Zyberi bëhet kryeministër
Aleanca për Shqiptarët do të pranonte të ishte pjesë e qeverisë së re së bashku me Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI), vetëm nëse Naser Ziberi është kryeministri, në të gjitha rastet e tjera është për BDI të shkojë në opozitë.

“Formimi i një qeverie është një lojë me numra, natyrisht, ne thamë, nëse Naser Ziberi është kryeministri, ne do ta mbështesim atë. Nëse jo, të gjitha kombinimet e tjera ku do të gjendeshim me dikë me pika të caktuara programi dhe parime të qeverisjes së mirë, ne jemi këtu për të ndihmuar dhe nëse mund t’i bëjmë 61 deputetë pa BDI”, ka thënë sekrterai i ASH-së, Arben Taravari, partia e të cilit së bashku me Alternativën kanë fituar 12 deputetë.

Kryetari i Alternativës, Afrim Gashika theksuar se ata nuk do të ishin pjesë e një qeverie që përfshin BDI-në, por tha se ata nuk mund të hyjnë në negociata pa partnerin e tyre të koalicionit, Aleanca për Shqiptarët.
Rreziku i BDI-së nga mormarrja e kryeministrit!

Subjektet më të mëdha shqiptare në momentin kur doli ky opsion nga ana e BDI-së, e kishin quajtur manipulative këtë nismë, që sipas tyre, partia e Ali Ahmetit po e përdorë për përfitimin e pikëve politike gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e 15 korrikut. Nga ana tjetër, partitë maqedonase, kanë porositur Ahmetin që idenë e tij ta mbajë vetëm për anëtarësinë e vet gjatë fushatës elektorale, duke e paralajmëruar se nisma e tillë do ta çojë në opozitë BDI-në.

Realizimi i idesë për kryeministër shqiptar në Maqedoni nuk është i mundur nëse nuk merr mbështetje nga partitë tjera. Në Maqedoninë e Veriut, gara për kryeministër është zhvilluar gjithmonë mes partive maqedonase, LSDM dhe VMRO-DPMNE, që historikisht kanë grumbulluar numrin më të madh të votave në vend.

Por, kësaj radhe formimi i qeverisë varet nga BDI-ja, e cila ka shanse ta kushtëzojë me postin e kryeministrit, gjë që deri më tani kategorikisht kundërshtohet nga LSDM-ja.

Por çka nëse BDI vendos të heq dorë nga ky post? Përgjigja e thejshtë është se, do të konfirmohen argumentet e opozitës, se ky ka qenë vetëm një mashtrim i shqiptarëve nga ana e Ahmetit. Nëse vërtetohet ky skenar, atëherë këtu është edhe fillimi i fundit të partisë dhe qeverisë së Ahmetit!
Pas një viti do të mbahen zgjedhjet e ardhshme lokale dhe nëse kryeminstër nuk bëhet një shqiptarë, atëherë çmimin që do ta paguajë BDI-ja do të jetë shumë i lartë, e që në fakt i bie humbje dhe nënçmim para elektroatit.
Nëse eventualisht ka dështim në zgjedhjet lokale për shkak të kësaj çështje, atëherë edhe në zgjedhjet parlamentare do të reflektohet fuqishëm kjo humbje, e që më vonë nuk do t’i dihet fundi i BDI-së.

Prandaj, është shumë e rëndësishme që BDI të këmbëngulë në postin e kryeministrit, qoftë edhe duke mbetur në opozitë, sepse çdo hap prapa do t’i bie që shqiptarët u manipuluan nga një gënjeshtër e madhe