Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tashmë dy ditë pas tërmetit që solli vdekjen e 40 personave dhe la rreth 600 familje pas strehim, ka paralajmëruar mbylljen e portaleve dhe kanaleve të informimit që publikojnë lajme të rreme duke përhapur panik.

“Paralajmëroj për herë të fundit, portalet e kanalet e informimit, se në kushtet dhe kuadrin ligjor të Gjendjes së Jashtëzakonshme, do të jem i detyruar të ndërhyj, forcërisht, për mbylljen e tyre deri në fund të kësaj faze dramatike, nëse vazhdojnë me publikime rrenash që përhapin panik!”, ka shkruar Rama në Facebook.

Ai e ka quajtur të patolerueshme që në këtë situatë të jashtëzakonshme të publikohem lajme të rreme apo të shtrembërohen prononcimet e ekspertëve.

“Në këtë situatë të jashtëzakonshme, ku duhet matur çdo fjalë, është e patolerueshme që të publikohen sharlatanizma delirantësh, vendas a të huaj, apo të shtrembërohen prononcimet dhe shpjegimet e arsyeshme të ekspertëve, sipas avazit të zakonshëm të çdo dite të perëndisë, qëkur u shfaq flama e rrenës si epidemi digjitale dhe nisi të tkurret flaka e gazetarisë së fakteve!”, është shprehur Rama.

Menjëherë pas tërmetit vdekjeprurës në Shiqpëri, lëkundjet e të cilit u dëgjuan edhe në Kosovë, filluan të përhapen lajme se do të ketë tërmete me magnitudë edhe më të lartë se ai që preku Shqipërinë. KALLXO.com e ka konsideruar si rrenë të kryptë këtë informacion i cili ka pasur për qëllim të ndjell frikë dhe panik te qytetarët