Në Maqedoninë e Veriut edhe sot është regjistruar numër rekord i të infektuarëve nga koronavirusi.

Sipas të dhënave të ministrisë së shëndetësisë, gjatë 24 orëve të fundit nga 2140 teste të kryera 364 persona kanë rezultuar pozitiv me Covid-19, ndërsa janë shënuar edhe 3 të ndjerë.

Edhe sot numri më i madh i infektimeve është regjistruar në Qytetin e Shkupit, përcjell INA.

Ndërkohë, sipas Institutit për Shëndet Publik, 106 pacientë janë shëruar.

Ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe theksoi se ky është numri më i lartë i të infektuarëve me koronavirus që nga fundi i korrikut.

Ai tha se nëpër disa spitale kapacitetet janë plotësuar dhe se me marrëveshje paraprake me pacientët, ata dërgohen në Shkup ose Kumanovë.

Ministri paralajmëroi masa të reja që duhet të aplikohen siç është mbajtja e obligueshme e maskës edhe në ambientet e hapura dhe ato të mbyllura si dhe ndalimi i grupimeve, festave familjare si dhe ndalesa të tjera që do të bëhen të ditura gjatë ditëve në vijim. (INA)