Mbi 300 marka të veshjeve kërkojnë nga konsumatorët të mos blejnë asgjë në shitjet e të Premtes së zezë për shkaqe ekologjike.

Organizata “Bëjeni të premten sërish të gjelbër” (Make Friday Green Again), thotë se marrëveshjet për zbritje i inkurajojnë njerëzit të blejnë gjëra që nuk u duhen.

Ata theksojnë që ky “hiperprodhim” kontribuon për ndryshimet klimatike.

Në vend të kësaj, blerësit më 29 nëntor këtë vit të shohin në dollapët e tyre të veshjeve dhe të vërejnë se cilat gjëra mund t’i riparojnë, t’i shesin apo dhe t’i riciklojnë.

Por, konsorciumi britanik për shitje në pakicë pretendon që dita u lejon konsumatorëve të blejnë produkte që zakonisht nuk mund t’ia lejojnë xhepit të tyre.

Bëjeni të premten sërish të gjelbër

Kolektivi, kryesisht i përbërë nga markat franceze, e ka filluar Nikollas Ror, njëri nga bashkëthemeluesit e kompanisë ekologjike për veshje, Faguo.

“Kur njerëzit blejnë diçka, ne ndotim për shkak të emetimeve të karbonit që vijnë nga bërja e këtij produkti, prej përdorimit të tij, dhe më pas nga çlirimi prej këtij produkti”, u shpreh ai.

“Sot nuk e blejmë atë që kemi nevojë, e blejmë sepse jemi të provokuar për ta bërë këtë gjë”

“Më tepër nuk jemi në marrëdhënie të mira me konsumimin”

“Ne duam që njerëzit të fokusohen në atë që tashmë e kanë në dollapët e tyre të veshjes nëse me të vërtetë ju duhet diç më shumë, mundeni ta blini”.

Çfarë është e Premtja e zezë?

E Premtja e zezë është dita e blerjes më të ngarkuar të vitit, kur shume tregtarë me pakicë kanë oferta speciale 24-orëshe për t’i bërë njerëzit që të blejnë dhurata për Krishtlindjet.

Ky koncept ka filluar në SHBA dhe mbahet një ditë pas festës amerikane, Dita e Falënderimeve.

Kursimet mund të jenë aq të rëndësishme sa që munden të rrëzojnë faqe-interneti dhe të shihen konsumatorët që me ditë presin për çmime të volitshme.

Emrin e mori sepse është shpesh dita kur shumë dyqane shkojnë “në të zezë” – do të thotë se ata fillojnë të fitojnë më shumë para sesa duhet të shpenzojnë.

A është e Premtja e Zezë e dëmshme për ambientin jetësor?

Çdo gjë që blejmë jo vetëm kushton para, por ka edhe shpenzime ekologjike. Kjo varet nga mënyra se si është bërë diçka, nga çfarë është krijuar, në çfarë distance transportohet dhe çfarë ndodh me të në fund të jetëgjatësisë së tij.

Argumenti nga kolektivi është se sa më pak të blini, aq më pak është ndikimi në mjedisin jetësor. Gjithashtu, mund t’ju ​​kursejë edhe para.

Doktor Petsi Peri, shitëse më e vjetër për marketingun e modës nga Universiteti në Mançester, u shpreh “E Premtja e zezë është një kohë e shkëlqyeshme për të përfituar nga zbritjet, por është në kundërshtim me atë që ne po përpiqemi të bëjmë me qëndrueshmërinë. Nga njëra anë, shitësit me pakicë po flasin gjithnjë e më shumë për qëndrueshmërinë dhe të gjitha gjërat e mira që ata bëjnë, por nga ana tjetër, ndjehet sikur i inkurajon njerëzit të vazhdojnë të blejnë më shumë gjëra”.

Ajo shtoi “Zbritjet e mëdha i thonë diçka konsumatorit në lidhje me atë se sa vlerë ka ai produkt. Mendoj që do të shohim gjithnjë e më shumë biznese që thonë se nuk duan të jenë pjesë e kësaj (E Premtja e zezë) “.

Fillimi i “tremujorit të artë të shitjeve me pakicë”

Konsorciumi britanik për shitje në pakicë mbron dyqanet që janë pjesëmarrëse në të Premten e zezë.

Drejtori ekzekutiv i saj Helen Dikinson u shpreh:”Përfshirja është vendim tregtar i shitësve me pakicë. Shitjet e tilla u lejojnë konsumatorëve qasje në shumë mallra që përndryshe nuk do të ishin në gjendje t’ia lejojnë vetës, veçanërisht kur vijnë Krishtlindjet”.

“Pas një viti stagnim të shitjes, shumë shitës me pakicë do të presin të Premten e zezë për të mirëpritur blerësit dhe të hyjnë në ‘tremujorit të artë të shitjeve me pakicë’.”

Por, zotëri Ror u shpreh se, “Bëjeni të premten sërish të zezë” nuk është për të fajësuar markat ose blerësit, por për të na bërë më të vetëdijshëm për atë se si mund të jetojmë më qëndrueshëm.

“Në dy vitet e fundit, ne kemi pasur shitje të shkëlqyera – 5 për qind të qarkullimit vjetor – por ne nuk kemi qenë të kënaqur me këtë,” shpjegoi ai.

“E di që do të humbas një qarkullim në krahasim me konkurrencën time, por do ta pranoj sepse interesi im është për të ardhmen e planetit. Duhet të kemi guximin t’i ndryshojmë gjërat edhe nëse duhet të sakrifikojmë ndonjë qarkullim.”

“Do të doja që markat të ofrojnë çmim të mirë gjatë gjithë vitit. Ne e bëjmë atë për gjeneratën tonë dhe planetin tonë.