Memorandumi bullgar po turbullon sërish rrugën eurointegruese të Maqedonisë së Veriut. Dokumenti që përmban çështje që janë delikate në marrëdhëniet Shkup-Sofje, siç është gjuha dhe disa pika historike, ka ardhur pikërisht dy muaj para mbledhjes së Këshillit Evropian, e pas së cilës parashihet të mbahet konferenca e përbashkët ndërqeveritare mes Shkupit dhe BE-së.

Për memorandumin, Ministri për Punë të Jashtme, Bujar Osmani, ka biseduar me homologen nga Bullgaria, Ekaterina Zaharieva, të cilës thotë se i ka shprehur keqardhje për përmbajtjen e dokumenteve, ndërsa si mënyrë për të sheshuar dilemat ka propozuar vendosjen e një dinamike të re në komunikim.

“Gjithnjë kur ka zbrazëtirë në komunikim, diçka tjetër e mbush atë boshllëk. Ato mund të jenë agjenda të dikujt, ose keqkuptime dhe interpretime të ndryshme, andaj është shumë i rëndësishëm dhe nuk shoh mënyrë tjetër për tejkalim të dallimeve përveç se përmes komunikimit intensiv përmes instrumenteve dhe kornizës që parasheh Marrëveshja (për fqinjësi të mirë)”, deklaroi Bujar Osmani – Ministër i Punëve të Jashtme.

Edhe pala bullgare është e gatshme për intensifikim të komunikimit, tha shefi i diplomacisë së Maqedonisë, por ende nuk është caktuar datë konkrete se kur mund të ketë takime mes zyrtarëve të dy shtete. Osmani tregon po ashtu  se në bisedën me Zaharievan është theksuar që duhet të vazhdojë puna më intensive e komisioneve për historinë, larg kanxhave të politikës.

Korniza dhe instrumentet të cilat i përmend Osmani janë nenet ku thuhet se Bullgaria do të mbështesë Maqedoninë e Veriut në rrugën euroatlantike, formimi i komisionit të historisë që do të tejkalonte dallimet historike; si dhe bashkëpunimi në fusha të tjera. Çështjet identitatre të hapura me Memorandumin e fundit nuk janë pjesë e Marrëveshjes së Fqinjësisë së mirë, tha Osmani.

Se Bullgaria do të vazhdojë të mbetet mbështetëse e të mos bëhet pengesë e integrimeve të vendeve të Ballkanit Perëndimor po shpreson edhe Sekretarja Gjenerale e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, Majlinda Bregu, e cila sot është takuar me zyrtarë të vendit.

“Vazhdoj të besoj që Bullgaria do të vazhdojë të mbetet mbështetëse e procesit të integrimit evropian të dy vendeve, jo vetëm për faktin se ka qenë e tillë gjithë kohën, por nisur edhe një arsye më tepër sepse Bullgaria i ka më të freskëta edhe kujtimet e vuajtjeve të Procesit integrimit dhe të vështirësive të procesit dhe shpresoj shumë që momenti i Samitit të Sofjes të jetë një moment i mirë për t’i dhënë rrugë zgjidhjes së problemeve dhe çështjeve që ju përmendi”, theksoi Majlinda Bregu – Sekretare Gjeneral e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal.

Pikërisht është Samiti i Sofjes, që mbahet në kuadër të Procesit të Berlinit, si një shtysë shtesë, vlerë e shtuar dhe nxitës i mëtejshëm i  bashkëpunimit rajonal. Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria janë dy shtete që bashkëkryesojnë me këtë proces.