Edhe pse në nivel të shtetit numri i të prekurve nga Covid 19 dita ditës po rritet, një gjë e tillë nuk po ndodhë në qytetin e Dibrës, shkruan Zhurnal.

Ndonëse ky qytet po ndodhet në gjendje krize, gjegjësisht në izolim total të qytetarëve, këto masa si duket po japin rezultatet e veta.

Në 3 ditët e fundit në Dibër nuk ka asnjë të prekur të ri me Covid 19, gjë që nuk ndodhë në qytetet tjera të Maqedonisë.

Përpos që nuk ka asnjë të prekur në Dibër, nga Spitali Infektiv në Shkup janë shëruar mbi 10 persona që ishin të diagnostifikuar me Covid 19. Për fat të keq, nga Dibra ka edhe viktima por që shumica e pacientëve po shërohen dhe janë në gjendje stabile.

Këto statistika dëshmojnë se qytetarët e Dibrës janë njerëz të kulturuar dhe që respektojnë masat e vetizolimit shtëpiak, ndonëse nuk është aspak e lehtë.

Numri i përgjithshëm i të prekurve deri tani në Dibër shënon 47 persona. Këtë shifër deri tani e ka tejkaluar qyteti i Kumanovës, prej ku kërkojnë që edhe ky qytet të izolohet ashtu sikurse Dibra, duke patur parasysh që çdo ditë po rritet numri i të prekurve.

Sikurse Dibra, ngjashëm mirë me Covid 19 po ballafaqohet edhe qyteti i Gostivarit, ku ka vetëm 1 të prekur deri tani.