Këngëtarja shqiptare, Dhurata Dora dhe reperi shqiptar që jeton dhe vepron në Gjermani, Azet, ditë më parë konfirmuan bashkëpunimin e tyre të parë.

Të njëjtit në rrjetet sociale sollën një pjesë të shkurtër të këngës, që sipas tyre pritet të lansohet ditëve në vazhdim, meqenëse akoma nuk ka një datë të saktë.

Sidoqoftë, duket se xhirimet e klipit veçse kanë filluar dhe njoftimin për këtë e bëri vet artistja Dora.

Zeshkania së fundmi në llogarinë personale, Instagram, aty ku ndiqet nga hiç më pak se 1.9 milion ndjekës ka publikuar një fotografi nga xhirimet e klipit.

“Ndaloni të përpiqeni t’i bëni të gjithë të lumtur, ju nuk jeni tekila”, është përshkrimi që ia ka vënë imazhit, në të cilin vjen në formë të mrekullueshme.

Ndërkaq, bashkëpunimi me Azet nuk ka dyshim se do të mirëpritet nga publiku, marrë parasysh ndikimin që dyshja kanë në skenë e po ashtu edhe fansat e shumtë.

“100 shkallë” mbetet kënga e fundit e lansuar nga Dora, ndërsa për Azet mbetet albumi “Mango EP” – projekte këto shumë të suksesshme të dy artistëve.