“Populli të mos qëndrojë në shtëpi, duhet ta marrë fatin në duart e tyre”. Me këtë deklaratë të dhënë ish kryeministri Nikolla Gruevski ka ftuar qytetarët që në mënyrë sa më masovike të bashkangjiten në protestat e organizuara para ndërtesës së Kuvendit më 27 prill të vitit 2017. Sipas lajmit të “Fokus”, Gruevski poashtu ka angazhuar edhe struktura partiake, por ka siguruar edhe mjete materiale për hyrjen e dhunshme në Kuvend të “enjten e përgjakshme”.

“Në fillim të vitit 2017 pas negociatave të dështuara për formimin e Qeverisë, të auzuarit Nikolla Gruevski, Trajko Veljanovski, Mile Janakievski, Spiro Ristovski, Vlladimir Atanasovski dhe Nikolla Boshkovski, kanë përgatitur plan me qëllim të prishjes së rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Maqedinisë me akte të dhunës për të pamundësuar dorëzimin e pushtetit te shumica e parlamentare e posaformuar, kanë organizuar protesta të cilat i kanë ndihmuar materialisht, në vazhdimësi kanë zvogëluar numrin e policëve të angazhuar për sigurinë në protesta dhe në Kuvend, ku kanë kyçur edhe shoqatat patriotike, kanë ndërmarrë masa për të hequr pengesat dhe për të mundësuar hyrje të papenguar të turmës së njerëzve të mbledhur para Kuvendit dhe për të pamundësuar zgjedhjen e kreut të ri të Kuvendit të Maqedonisë…”, thuhet në përmbajtjen e aktakuzës.

Veljanovski, sipas aktakuzës, ka qenë i angazhuar të pamundësojë zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit duke ndryshuar pikat e rendit të ditës në seancën plenare.
Në akuzë përmendet edhe Mitko Çavkov, ish drejtori i Drejtorisë për Siguri Publike, ku thuhet se ai vazhdimisht ka ulur numrin e policëve të angazhuar për sigurinë në protesta si dhe ka porositur që policia të mos reagojë në rast të fillimit të incidenteve në protesta.

Detyra e Janakievskit dhe Ristovskit, sipas teksit të akuzës, ka qenë të angazhojnë krerët e komiteteve komunale, drejtë të cilëve janë dërguar porosi për pjesëmarrje sa më masive në protesta dhe për gatishmëri të masave për udhëzime të reja.

Në përmbajtjen e akuzës përmendet edhe biseda telefonike gjatë ditës kritike të 27 prillit mes truprojes së Gruevskit, Bllagoja Vasilevski, i cili nga Vjena ka kontaktuar me njërin nga organizuesit e rrjedhës së protestave, vëllain e tij Aleksandar Vasilevski i njohur me nofkën Ninxha.