Drejtori i Drejtorisë së Librave Amë, Bujar Dardhishta ka hedhur poshtë si të pavërteta akuzat e koalicionit ASH-AAA për tenderin për digjitalizimin e librave amë.

Thotë, se tenderi ka qenë i përmasave ndërkombëtare, ndërkaq ka njoftuar, se procedura ka qenë transparente.

“I hedhim poshtë si të pavërteta dhe tendencioze akuzat në lidhje me furnizimin publik për digjitalizimin e librave amë. Së pari, duam t’ju informojmë se furnizimi publik ka qenë ndërkombëtarisht dhe i publikuar në ueb faqen ted.europra.eu dhe të gjitha procedurat e departamentit për furnizime publike ka qenë transparente dhe ligjore. Digjitalizimi dhe skenimi i të dhënave nga librat amë është prioritet i yni dhe i Qeverisë dhe si drejtor, dhe komfor planit strategjik të Qeverisë deri në vitin 2023 duhet të digjitalizohen të gjitha të dhënat nga librat amë”, tha Dardhishta.

Ndryshe koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, kanë dërguar sot kritika deri te drejtori i Drejtorisë së Librave Amë, Bujar Dardhishta.

Zëdhënësi i Alternativës, Orhan Murtezani në konferencë për media tha se, ende pa përfunduar debatet për rastin e ish sekretarit të përgjithshëm të Qeverisë, Dragi Rashkovski, një aferë e përmasave të atij rasti, siç e quajnë ata, “korruptiv”, ka ndodhur edhe në Drejtorinë e Librave Amë.

Thonë, se Dardhishta ka ndarë tender prej 480 mijë eurove për digjitalizimin e librave amë, birit të ish funksionarit të BDI-së pa ndonjë kriter dhe duke diskualifikuar aplikantët tjerë.