Duke ngritur ndërgjegjësimin e opinionit për çështjet reale dhe problemet që nuk janë gjithmonë të dukshme në frontin politik, sektori civil u ndihmon qytetarëve që të formojnë shoqërinë dhe në këtë mënyrë të kontribuojnë drejtpërdrejtë në përpjekjet tona për ta shndërruar atë në shtet përparimtar dhe me prosperitet.

Këtë e theksoi presidenti i shtetit Stevo Pendarovski në fjalimin e tij në konferencën “Midis aspiratave dhe realitetit” me rastin e 20 vjetorit të themelimit dhe punës aktive të CIVIL, që u mbajt në Muzeun e Qytetit të Shkupit.

“Pres që në periudhën e ardhshme të vazhdojmë të ndërtojmë shtet demokratik, në të cilin suksesi i njërit nuk do të jetë në kurriz të suksesit të tjetrit dhe në të cilin ligjet do të zbatohen për të gjithë në mënyrë të barabartë, në të cilën mbrohen të drejtat dhe liritë, në vend se privilegjet, dhe të mbetet dinjiteti i njeriut dhe qytetarit në zemër të përpjekjes sonë të përbashkët për një shoqëri të lirë dhe të drejtë”, porositi presidenti Pendarovski.

“Karta është një thirrje për aktivizimin qytetar që të zë vendin e saj të duhur në kontrollin joformal, por të domosdoshëm mbi ne politikanët dhe zyrtarët për të punuar për të mirën e përbashkët,” u shpreh mes tjerash kreu i shtetit.

Pendarovski foli edhe për angazhimin e CIVIL për lirinë e mediumeve në kushtet e viteve të errësirës në media, kur nënvizoi, e filloi projektin “Objektivi Qytetar” që kishte për qëllim çlirimin dhe dekontaminimi e hapësirës mediatike. Media të lira, theksoi Presidenti Pendarovski, janë një nga parakushtet për demokracinë e vërtetë.

Përmendi se nga viti 2008-të, CIVIL ka qenë duke kryer monitorim me zgjedhje të metodologjive të reja efektive për tejkalimin dhe edukimin qytetar për të drejtën civile. Si projekt më i ri për mbrojtjen e mjedisit jetësor, i përmendën “Të gjelbrit po vijnë”.

Duke folur për arritjet, sfidat dhe perspektivat e CIVIL-it, Xhabir Deralla, iu referua asaj që, siç tha ai, ishte rrëzimi i një regjimi, si zgjim historik i shoqërisë.

“Të gjitha kritikat, lufta për të drejtat e punëtorëve, bërja e ligjeve, lufta për të drejtat dhe liritë e njeriut, liria e shprehjes, vlerat evropiane dhe të gjelbërta, të gjitha këto që kanë rëndësi që njerëzit të kenë jetë më dinjitoze dhe fëmijëri, si dhe rini më të lumtur të brezave që do ta çojnë këtë vend në të ardhmen evropiane”, u shpreh Deralla.

Të njohura janë edhe sfidat, nënvizoi, sepse shoqëria civile nuk është imune ndaj politizimit, deri në depërtimin e strukturave të prapambetura, destruktive, nacionaliste dhe kriminale në vend. Ne kemi nevojë për më shumë sinqeritet dhe autokritikë për t’u marrë me sfidat në këtë moment vendimtar për Republikën e Maqedonisë së Veriut, konsideron Deralla.

“Një sfidë tjetër e madhe është para nesh, siç janë lajmet e rreme dhe gjuha e urrejtjes. Ato janë arma kryesore e qendrave të pushtetit, të cilët nuk dëshirojnë të shohin të ardhmen e Maqedonisë së Veriut në Evropë dhe në botën e zhvilluar demokratike”, theksoi Xhabir Deralla.

Ai përmendi se perspektiva për vendin tonë është evropiane, gjithçka tjetër, potencon, do të nënkuptojë ndarje, dhunë dhe shkelje, ndërsa para shoqërisë qytetare është sfida që të kthehet Maqedonia e Veriut nga e kaluara e errët e gënjeshtrave, dhunës  dhe ndarjeve dhe të orientohet drejt së ardhmes evropiane.